Një i vdekur dhe 25 të plagosur nga shpërthimi i eksplozivëve në Lviv

Nga Xh M
379 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Ukraina njoftoi sot se të paktën një person ka humbur jetën dhe 24 të tjerë janë plagosur si pasojë e detonimit të mjeteve shpërthyese në qytetin perëndimor Lviv.

Policia Kombëtare e Ukrainës bëri të ditur se linja e emergjencës ka pranuar një raportim për një thyerje në një dyqan në Lviv rreth orës 00:30 sipas kohës lokale të së dielës dhe se një shpërthim ndodhi në vendngjarje pasi mbërriti patrulla e parë.

“U konstatua paraprakisht se kanë shpërthyer mjete shpërthyese të improvizuara. Si pasojë e shpërthimeve humbi jetën një police 23-vjeçare”, thuhet në njoftim, duke shtuar se 24 persona të tjerë u plagosën dhe se u dëgjua edhe një shpërthim tjetër pasi mbërriti patrulla e dytë në vendngjarje.

Në njoftim thuhet gjithashtu se në vendngjarje kanë punuar grupi hetimor, ekspertët e eksplozivëve dhe shërbime të tjera të specializuara, ndërsa të plagosurve po u ofrohet ndihma e nevojshme mjekësore.

Ngjarja u cilësua si “sulm terrorist”, duke u shtuar se janë nisur procedime penale sipas Kodit Penal të vendit dhe se hetimet paraprake po zhvillohen nga shërbimi rajonal kundër terrorizmit.

Guvernatori i Lvivit, Maksym Kozytskyi, shkroi veçmas në Telegram se autorët e incidentit përballen me deri në 12 vjet burg dhe konfiskim të pasurisë, duke e cilësuar gjithashtu ngjarjen si “sulm terrorist”.

Ai më pas njoftoi se numri i të plagosurve u rrit në 25 dhe se disa prej tyre janë në gjendje të rëndë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, tha më vonë në rrjetin social amerikan X se ministri i Brendshëm, Ihor Klymenko, e ka informuar për ndalimin e një personi të dyshuar për kryerjen e sulmit.

Askush nuk e ka marrë ende përgjegjësinë për incidentin dhe autoritetet nuk kanë bërë publik emrin e të dyshuarit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër