Një lojtar që Kosova duhet ta bindë sa më parë, Lutfi Dalipi në “radarin” e tre gjigantëve evropiane

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Sulmuesi me prejardhje nga Presheva, Lutfi Dalipi po tërheq vëmendjen e klubeve të njohura evropiane me paraqitjet e tij të forta këtë sezon.

20-vjeçari, i cili është i huazuar nga Young Boys te Vaduz, ka hyrë në radarët e disa klubeve dhe skautët e tyre po mbledhin informacione për të.

Sipas “4-4-2.ch”, skautë të Fiorentinës nga Serie A, Real Betisit nga La Liga dhe Sporting Bragës nga elita e futbollit portugez ishin të pranishëm në dy ndeshjet e fundit të Dalipit në Superligën zvicerane, ndaj Thunit dhe Zürichut.

Megjithatë, deri më tani Young Boys nuk ka pranuar ndonjë ofertë konkrete për talentin, i cili ka kontratë me klubin deri në vitin 2030. Klubet e interesuara mund të nisin një ofensivë për transferimin e tij që në afatin kalimtar të dimrit.

Te Young Boys janë shumë të kënaqur me zhvillimin e Dalipit gjatë huazimit në Vaduz. Këtë sezon, sulmuesi ka realizuar katër gola dhe ka dhuruar tetë asistime në 12 ndeshje në të gjitha garat.

Dalipi aktualisht aktivizohet si qendërsulmues, por mund të luajë edhe në mesfushën ofensive, pas sulmuesit kryesor. Ai spikat veçanërisht për teknikën e shkëlqyer, vizionin e mirë të lojës dhe shpejtësinë.

Vlera e tij në tregun e transferimeve tashmë vlerësohet mes 2 dhe 3.5 milionë eurove. Young Boys gjithashtu do të kërkonte të përfshinte një përqindje nga shitja e ardhshme të lojtarit.

Për momentin, Dalipi është i grumbulluar me Kombëtaren U21 të Zvicrës, por ka të drejtë të luajë edhe për Kosovën e Shqipërinë, kombëtare që tashmë e kanë kontaktuar zyrtarisht.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër