Tetovë, 27 shtator Zhurnal.mk – Mungesa e investimeve dhe rrugët e shkatërruara po i largojnë banorët nga Novosella e Komunës së Bogovinës. Nga rreth 290 shtëpi sa kishin dikur, sot në fshat jetojnë vetëm rreth 100 familje. Rruga e ngushtë, e dëmtuar dhe pa mbrojtëse anësore nga magjistralja e deri në fshat, sipas kryetarit të Bashkësisë Lokale, Rizvan Islami, po thellon migrimin.
“Vite me radhë, jo tash, na është premtuar se do rregullohet rruga prej Bogovinës deri në Novosellë, mirëpo ja edhe ju, siç e keni parë, se as asgjë nuk ka lëvizur, edhe megjithëse 4 vite më përpara na është premtuar, bile edhe janë, po ku nuk e dimë, shtyllat për mbrojtëse, sepse vetë qytetarët e Novosellës kanë qenë në aeroportin e Shkupit dhe i kanë marrë mbrojtëset që i shihni këtu dhe i kemi vendosur, kemi sjellë edhe 2400 metra të tjera, mirëpo për shkak se mungonin shtyllat të mbrohen vendet ku ishte më rrezik, sepse shpesh në këtë rrugë kanë ndodhur incidente të tilla për shkak të ngushtësisë dhe rrugës së shkatërruar”, tha Rizvan Islami – kryetar i Bashkësisë Lokale.
Situata bëhet alarmante gjatë dimrit nga të reshurat e borës dhe ngricat. Për shkak të terrenit të ashpër, banorët shpesh detyrohen të paguajnë shuma të larta për transport me automjete xhip për raste urgjente drejt qytetit, ndërsa problem shtesë përbëjnë edhe rrëshqitjet e dheut nga hapja e rrugëve për shtëpitë e pushimit.
“Rruga shumë rrezik. Rrëshqet dimrit. Thonë që e pastrojnë, por ndonjëherë nuk e pastrojnë. Shumë rrezik është. Apelojmë që të vendosen mbrojtëset.”
Nga Komuna e Bogovinës thonë se kanë ndërmarrë masa për pastrimin e deponive dhe zgjerimin e trasesë në disa pjesë, ndërsa ndërhyrja në rrugë do të nisë vitin e ardhshëm.
“Pritet që vitin e ardhshëm të fillojë rikonstruktimi i kilometrit të parë të kësaj rruge! Ndërkohë disa aktivitete për zgjerimin e trasesë dhe pastrimin nga deponitë e egra janë ndërmarrë gjatë këtij viti.”
Me afrimin e stinës së dimrit, banorët e Novosellës kërkojnë nga komuna që të paktën të sigurojë urgjentisht shtyllat për mbrojtëset anësore që i kanë siguruar vetë, në mënyrë që të shmangen aksidentet me pasojë për jetën.
