Nufi në Greqi: Thellojmë bashkëpunimin në siguri, mbrojtje, siguri kibernetike dhe emergjencat civile

Nga D. V.
1,022 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 29 qershor, Zhurnal.mk – Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi zhvilloi një vizitë zyrtare në Athinë, ku u mikprit përzemërsisht nga homologu i tij, ministri i Mbrojtjes Kombëtare të Greqisë, Nikos Dendias.

Në fokus të kësaj vizite ishte forcimi i bashkëpunimit dypalësh Shqipëri–Greqi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Gjatë takimit, të dyja palët vlerësuan dinamikën konstruktive dhe shumë pozitive të marrëdhënieve dypalëshe, si dhe interesin e përbashkët në forcimin e bashkëpunimit praktik në kuadër të NATO-s dhe në mbështetje të stabilitetit rajonal.

Ministri Nufi theksoi se, Greqia mbetet një mike dhe aleate e çmuar, ndërsa vlerësoi mbështetjen e palëkundur greke në rrugëtimin evropian të Shqipërisë.

Mbrojtja kibernetike dhe siguria kibernetike ishin pjesë e bashkëbisedimit mes dy ministrave, me fokus zgjerimin e bashkëpunimit në këto fusha. Në këtë kuadër, Nufi u shpreh se, “Shqipëria ka bërë përparim të rëndësishëm në rritjen e qëndrueshmërisë kibernetike përmes bashkëpunimit të ngushtë me Aleatët e NATO-s dhe partnerët strategjikë, dhe jemi të gatshëm të forcojmë angazhimin në fushën kibernetike, si në nivel dypalësh, ashtu edhe brenda kuadrit të strukturave të NATO-s”.

Nufi vlerësoi ndërveprimin e fuqishëm ndërmjet personelit ushtarak të dy vendeve përmes aktiviteteve të përbashkëta, edukimit ushtarak, programeve të trajnimit dhe shkëmbimit të ekspertizës, ndërsa temë tjetër e bashkëbisedimit mes dy ministrave ishte edhe thellimi i mëtejshëm i bashkëpunimit, koordinimit dhe ndihmës reciproke në përballimin e situatave të mundshme të emergjencave civile gjatë sezonit veror.

Përgjatë vizitës në Athinë dhe me ftesë të homologut Dendias, ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi do të marrë pjesë në Konferencën e Mbrojtjes së Athinës (Athens Defence Conference 2026), organizuar nga Forumi Ekonomik i Delfit, dhe Fondacioni Helen për Evropën dhe Politikën e Jashtme (ELIAMEP).

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër