Tiranë, 23 shtator, Zhurnal.mk – Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Ermal Nufi mori pjesë në Ministerialin e Bashkëpunimit të Mbrojtjes të Evropës Qendrore (CEDC) dhe Ballkanit Perëndimor, zhvilluar në Brdo pri Kranju, Slloveni, ku në fokus ishte forcimi i bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe adresimi i sfidave të përbashkëta në mjedisin e sotëm të sigurisë.
Gjatë Ministerialit, ministri Nufi theksoi rëndësinë e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh, duke nënvizuar angazhimin e Shqipërisë për të vijuar kontributin aktiv në iniciativat e përbashkëta rajonale dhe ndërkombëtare.
“Shqipëria vijon e palëkundur dhe në mënyrë aktive kontributin e saj në çdo iniciativë të përbashkët rajonale dhe ndërkombëtare. Task Forca Mjekësore Ballkanike është një prej tyre, si një shembull i suksesshëm i bashkëpunimit rajonal, zhvillimit të kapaciteteve dhe ndërveprueshmërisë në drejtim të integrimit euroatlantik.”, u shpreh Nufi.
Ndër të tjera, ai theksoi se: “Në një mjedis sigurie gjithnjë e më kompleks, mbetet prioritare nevoja për një koordinim sa më të ngushtë ndërmjet aleatëve e partnerëve me qëllim forcimin e mbrojtjes kolektive dhe garantimin e paqes”.
