Editorial / Çfarë diplomacie ka bërë deri më tani kryeministri Mickoski në Nju Jork!

Nga R.ZH
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 23 shtator, Zhurnal.mk – Muaji shtator çdo vit në Nju Jork mbledh përfaqësues të të gjitha shteteve ku diskutohen tema aktuale dhe me rëndësi për zhvillimet në botë. Kësaj ardhe, delegacionin e Maqedonisë së Veriut e drejton kryeministri Mickoski, i cili së bashku me zv.kryeministrin Bekim Sali dhe ministrin e jashtëm Timço Mucunski, janë duke shfrytëzuar mundësitë për të zhvilluar takime të nivelit të lartë si dhe të lobojnë për çështjet me interes të shtetit. Megjithatë tema të nxehta që kryeministri duhet të japë përgjigje në Nju Jork janë ndryshimet e Kushtetuese, investimet dhe forcimi i bashkëpunimit me partnerët strategjik, shkruan “Zhurnal.mk”.

Mickoski takim me Sekretarin Marco Rubio dhe me zv.sekretarin e shtetit të SHBA-së, Kristofer Landau

Në kuadër të Sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara kryeministri Hristijan Mickoski ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara, Marco Rubio, në Nju Jork.

“Këto bisedime janë me rëndësi të veçantë dhe konfirmojnë rëndësinë e partneritetit strategjik dhe dialogut të vazhdueshëm politik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Komunikimi i drejtpërdrejtë në një nivel të lartë politik është një mundësi e rëndësishme për të shkëmbyer pikëpamje mbi çështje me interes të përbashkët, për të thelluar marrëdhëniet dypalëshe dhe për të forcuar më tej pozicionin tonë si një aleat i qëndrueshëm dhe i besueshëm”.
Delegacioni i Maqedonisë së Veriut zhvilloi takim zyrtar me zëvendëssekretarin e shtetit të SHBA-së, Kristofer Landau. Në takim morën pjesë edhe Brendan Harnahan, Ndihmës Sekretar i Shtetit për Evropën, dhe Daniel Lawton, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit për Evropën, portofoli i drejtpërdrejtë i të cilit përfshin vendet e Ballkanit.

Mickoski takohet me kryeministrin slloven Jansha

Kryeministri Hristijan Mickoski në Nju Jork është takuar me Kryeministrin e Republikës së Sllovenisë, Janez Jansha ku është diskutuar perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut, thellimi i bashkëpunimit politik dhe ekonomik midis dy vendeve, si dhe sfidat aktuale gjeopolitike dhe të sigurisë në Evropë dhe rajon.

Kryeministri Mickoski ka thënë se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar fuqimisht ndaj të ardhmes evropiane dhe reformave që sjellin një jetë më të mirë për qytetarët e saj. Qëndrimi i vendit është i qartë – integrimi evropian duhet të bazohet në meritë, kritere të përmbushura dhe rezultate reale, dhe jo në kushtëzime të reja dypalëshe që nuk kanë lidhje thelbësore me vlerat evropiane. Sllovenia është miku i hershëm dhe partneri i rëndësishëm në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Përfaqësues të industrisë ushtarake amerikane të interuar për investime në Maqedoninë e Veriut

Kryeministri Mickoski u takua me përfaqësues të biznesit nga industria ushtarake amerikane dhe me zyrtarë të administratës amerikane përgjegjës për këtë fushë. Sipas njoftimit të tij, fokusi i bisedimeve ishte në investimet e mundshme, zgjerimin e planeve të investimeve dhe mundësitë për shfrytëzimin e burimeve në dispozicion.

Qëllimi është të hapen mundësi të reja për investime dhe zhvillim teknologjik, si dhe të forcohen kapacitetet vendase, përmes partneriteteve serioze dhe afatgjata.
Maqedonia e Veriut ka potencialin, burimet dhe pozicionin strategjik që mund të shërbejë si bazë për thellimin e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara, në interes të zhvillimit ekonomik, sigurisë dhe stabilitetit.

Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar në rrugën evropiane, por në të njëjtën kohë do të vazhdojë të mbrojë interesat e saj kombëtare

Kryeministri Hristijan Mickoski tha në Nju Jork se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar në rrugën evropiane, por në të njëjtën kohë do të vazhdojë të mbrojë interesat e saj kombëtare dhe shtetërore. Në samitin “Concordia”, në panelin me zëvendëskryeministrin gjeorgjian Maka Botchorishvili, Mickoski foli për procesin e gjatë të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Ai vlerësoi se vendi ka bërë një numër lëshimesh në periudhën e kaluar, por pavarësisht kësaj, mbetet i vendosur të vazhdojë drejt anëtarësimit në BE.

Për brezin e tij, integrimi evropian supozohej të nënkuptonte përmirësim dhe ndryshim të institucioneve, jo ndryshim të identitetit, por sipas tij, ka shtete anëtare që i lidhin çështjet dypalëshe me procesin evropian.

Lidhur me marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, kryeministri tha se partneriteti strategjik midis dy vendeve po thellohet, duke iu referuar bashkëpunimit në industrinë ushtarake, energjinë dhe nxjerrjen e mineralit kritik antimon, me mbështetjen e Departamentit të Forcave të Armatosura të SHBA-së.

Kryeministri theksoi gjithashtu se Maqedonia e Veriut dëshiron të jetë një shembull për praninë amerikane në rajon dhe Evropë, duke theksuar rëndësinë e aleancës brenda NATO-s.

Në aspektin energjetik, kryeministri Mickoski sqaroi edhe projektet e infrastrukturës dhe energjisë në vend, siç është tubacioni i rinovuar i naftës që lidh portin e Selanikut me rafinerinë në Shkup, si dhe ndërtimin e ndërlidhësve të tubacioneve të gazit me Greqinë dhe Serbinë.

Ndryshe, debati i Përgjithshëm në Nju Jork zhvillohet nga 22 deri më 28 shtator 2026 dhe sipas listës zyrtare të folësve të OKB-së, Maqedonia e Veriut është e planifikuar të flasë gjatë seancës së paradites të së shtunës, më 26 shtator 2026, shkruan “Zhurnal.mk”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër