Nufi: Shqipëria rikonfirmon angazhimin e saj të palëkundur në mbështetje të Ukrainës

Nga D. V.
553 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 19 qershor, Zhurnal.mk – Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi mori pjesë në takimin e 35-të të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës mbajtur në Bruksel ku ministrat e Mbrojtjes nga vendet anëtare të NATO-s dhe shtetet partnere diskutuam zhvillimet më të fundit të sigurisë dhe situatën në Ukrainë.

Nufi deklaroi pas këtij takimi se “Shqipëria rikonfirmon angazhimin e saj të palëkundur në mbështetje të Ukrainës 🇺🇦, në përputhje me vlerat dhe objektivat e NATO-s”.

“Që nga fillimi i agresionit rus, ne kemi qëndruar krah për krah popullit ukrainas për të mbrojtur lirinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit të tij”, u shpreh ministri i Mbrojtjes.

Në Bruksel, ministri Nufi mori pjesë në Takimin e Ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s,  ku u diskutuan prioritetet kryesore të Aleancës në funksion të forcimit të sigurisë dhe mbrojtjes kolektive në hapësirën euro-atlantike.

Në ministerial është theksuar rëndësia e ruajtjes së unitetit ndërmjet aleatëve, rritjes së gatishmërisë operacionale dhe forcimit të kapaciteteve mbrojtëse përballë sfidave të reja dhe kërcënimeve në zhvillim ndaj sigurisë ndërkombëtare.

Ministri Nufi vlerësoi se “bashkëpunimi ndërmjet aleatëve, investimet në mbrojtje dhe modernizimi i kapaciteteve ushtarake janë garancia më e fortë për paqen, sigurinë dhe mbrojtjen e vlerave tona të përbashkëta”.

Duke riafirmuar angazhimin e Shqipërisë në kuadër të NATO-s, ministri nënvizon ndër të tjera se: “Shqipëria do të vijojë të japë kontributin e saj të pandërprerë me përgjegjësi dhe vendosmëri në kuadër të NATO-s si një aleate e përkushtuar dhe e besueshme, duke forcuar rolin e saj si faktor stabiliteti në rajon e më gjerë”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër