Filmi “Odisea” i Christopher Nolan ka ngjallur interes të madh në Greqi, duke u kthyer në një fenomen kulturor. Sipas një sondazhi të Kapa Research, 71% e personave që e kanë parë filmin e vlerësojnë pozitivisht.
Sondazhi tregon se rreth 90% e grekëve kanë dëgjuar për filmin, ndërsa 48% janë përfshirë tashmë në diskutime rreth tij. Regjisori Christopher Nolan gëzon gjithashtu popullaritet të lartë, me 64% të publikut që kanë opinion pozitiv për të.
Efektet vizuale janë vlerësuar më së shumti nga publiku, me 86% vlerësime pozitive, ndërsa interpretimet e Matt Damon dhe Anne Hathaway kanë marrë nga 85%. Regjia e Nolan është vlerësuar pozitivisht nga 81% e të anketuarve.
Më kritike janë opinionet për përshtatjen e veprës së Homerit, e cila ka marrë vetëm 48% vlerësime pozitive.
Filmi pritet të ketë edhe ndikim në imazhin e Greqisë. 79% e personave që e kanë parë besojnë se “Odisea” do të promovojë vendin ndërkombëtarisht, ndërsa 75% mendojnë se mund të ndikojë në rritjen e turizmit.
Një nga debatet kryesore lidhet me përzgjedhjen e Lupita Nyong’o në rolin e Helenës së Trojës. Në total, 46% e të anketuarve e shohin pozitivisht ose në mënyrë neutrale këtë zgjedhje, ndërsa po 46% janë kundër. Mes atyre që e kanë parë filmin, mbështetja për aktoren rritet në 62%.
Sondazhi tregon gjithashtu se publiku grek është i ndarë mes lirisë artistike dhe besnikërisë ndaj veprës së Homerit: 40% preferojnë lirinë e krijuesit, ndërsa 39% një përshtatje më besnike.
Studimi u zhvillua nga 31 korriku deri më 2 gusht 2026, me 1.575 persona në 13 rajone të Greqisë, përfshirë 238 persona që kishin parë filmin.
