Berlin, 13 korrik Zhurnal.mk – Major Bujar Ferizi, ka diplomuar me sukses në programin prestigjioz Lehrgang Generalstabs-Admiralstabs International (LGAI) në Akademinë e Lidershipit të Bundeswehr-it në Hamburg, Gjermani.
Sipas njoftimit të FSK-së, programi i LGAI zgjat 17 muaj, duke përfshirë 5 muaj trajnim intensiv të gjuhës gjermane në Bundessprachenamt në Hurth, si përgatitje për vijimin e studimeve, dhe më pas 12 muaj studime në Kolegj, të fokusuara në planifikimin strategjik, lidershipin ushtarak, bashkëpunimin shumëkombësh dhe sigurinë ndërkombëtare.
“Në këtë gjeneratë morën pjesë 74 oficerë nga 36 shtete të ndryshme të botës, Majori Bujar Ferizi përfaqësoi Republikën e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, duke kontribuar në shkëmbimin e përvojave profesionale dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.
