Prishtinë, 13 korrik Zhurnal.mk – Sindikata e Radio Televizionit të Kosovës bëri të ditur se ka ndërprerë protestën e planifikuar për të hënën në orën 11:30, pasi ekzekutivi në detyrë miratoi një fond prej 2 milionë e 240 mijë eurosh për transmetuesin publik.
Ky vendim, i marrë të premten përmes një mbledhjeje elektronike, hap rrugën për daljen nga gjendja e rënduar financiare që la punonjësit e RTK-së pa paga për plot 13 ditë.
Sindikata nënvizoi se, edhe pse të privuar nga të ardhurat, punonjësit nuk e ndërprenë asnjëherë punën dhe vazhduan të ofrojnë shërbimin publik për qytetarët pa asnjë ndalesë.
Megjithatë, ata paralajmëruan se ndërprerja e protestës nuk e mbyll çështjen. Në rast se pagesat nuk kryhen, protesta e paralajmëruar do të riorganizohet në një moment të mëvonshëm.
Federata Sindikale e RTK-së u bën thirrje institucioneve kompetente të ngrenë mekanizma që sigurojnë një financim të qëndrueshëm për RTK-në dhe pagesa të rregullta të pagave, duke theksuar se stafi nuk duhet të bjerë pre e bllokadave politike, neglizhencës institucionale apo gabimeve drejtuese.
Në fund të reagimit, sindikata falënderoi punonjësit për unitetin dhe solidaritetin e shfaqur gjatë kësaj krize, duke vlerësuar se pikërisht ky bashkim ndihmoi në tejkalimin e situatës.
