OSBE ka publikuar një deklaratë në lidhje me konferencën e mbajtur këtë të mërkurë, ku theksohet se krimi i organizuar kërcënon integritetin ekonomik, administratën publike dhe besimin e qytetarëve te institucionet në Shqipëri.
OSBE thotë se kjo kërkon një fokus më të madh në parandalim, jo vetëm përgjigje nga drejtësia penale ndërsa në tryezën e rrumbullakët ku u diskutua për masat preventive kundër krimit të organizuar u bashkuan përfaqësues të partive politike, studiues, komuniteti diplomatik dhe shoqëria civile. Theksi u vu te përdorimi i mjeteve sistematike që parandalojnë infiltrimin e krimit të organizuar në bizneset legjitime dhe ekonominë ligjore.
“Bllokimi i qasjes së krimit në ekonominë ligjore forcon përpjekjet tradicionale për të luftuar krimin e organizuar. Përmes mjeteve si revokimi i licencave, kontrolli i tenderëve publikë dhe sanksionet komunale, autoritetet krijojnë barriera që parandalojnë infiltrimin e krimit në bizneset legjitime. Ky është një hap efektiv dhe kyç për integrimin e suksesshëm të Shqipërisë në Bashkimin Evropian,” tha Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, gjatë fjalës së tij.
