Prishtinë, 17 prill Zhurnal.mk – Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përgëzuar miratimin në Kuvendin e Kosovës për dërgimin e FSK-së në Gaza.
Osmani e quajti këtë hap si vazhdim të përkushtimit të Kosovës për paqe.
“Sot, Kuvendi i Republikës së Kosovës dëshmoi unitet shtetëror duke votuar me 89 vota pro për një vendim të rëndësishëm dhe historik: angazhimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në misionin e Forcës Stabilizuese Ndërkombëtare (ISF) në Gaza”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Osmani bëri thirrje që njashtu të ratifikohet marrëveshja për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes.
“Ky angazhim është një dëshmi e qartë e kapacitetit tonë shtetëror që forcon subjektivitetin ndërkombëtar të vendit tonë dhe rritë besueshmërinë e Kosovës si partner i denjë në skenën globale. Njëkohësisht, ky angazhim i ngrit kapacitetet profesionale të FSK-së dhe e afron vendin tonë më afër se kurrë me synimin strategjik për anëtarësim në NATO. Kosova është e vendosur të kontribuojë për paqen me dinjitet, profesionalizëm dhe përkushtim, gjithmonë përkrah aleatëve tanë dhe me FSK-në tonë në shërbim të qytetarëve dhe të paqes globale. Falënderim i veçantë dhe mirënjohje të përhershme ndaj Amerikës për përfshirjen e Kosovës dhe për besimin!”, ka shkruar Osmani ndër tjera.
