Palatova–Kurtit: BE s’mund thjesht ta japë statusin e kandidatit, duhet t’i bindni 27 shtetet

Nga D. V.
810 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 7 maj, Zhurnal.mk – U.D. e shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, ka deklaruar se Kosova nuk mund ta marrë automatikisht statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke theksuar se vendi duhet t’i bindë të gjitha 27 shtetet anëtare të BE-së.

Në aktivitetin e organizuar për Ditën e Evropës, Palatova tha se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE kërkon mbështetje të plotë politike nga shtetet anëtare dhe përmbushje të standardeve demokratike.

“E di, zoti Kryeministër, që ju dëshironi që BE-ja të ecë përpara me aplikimin për anëtarësim, të cilin e dorëzuat gjatë presidencës çeke në Pragë. Ne jemi këtu për t’ju ndihmuar që ta arrini këtë synim të radhës. Por më lejoni të jem e sinqertë: Brukseli nuk mund ta japë thjesht statusin e kandidatit. Ju duhet t’i bindni 27 shtetet anëtare”, deklaroi ajo.

Sipas Palatovës, në këtë proces janë thelbësore tri elemente kyçe, duke vënë theks të veçantë te funksionimi demokratik i Kosovës dhe organizimi i zgjedhjeve.

“Dhe për këtë, rëndësi kanë këto tri elemente kyçe. Kosova është dhe duhet të mbetet një demokraci e gjallë. Zgjedhjet parlamentare që mbahen saktësisht një muaj nga sot duhet të jenë, përsëri, të lira, të drejta dhe gjithëpërfshirëse”, shtoi ajo.

Deklaratat e saj vijnë në një kohë kur Kosova po synon avancimin e procesit të integrimit evropian dhe rritjen e mbështetjes ndërkombëtare për statusin kandidat në BE.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër