Dy të rinj nga Shkupi pretendojnë se janë dhunuar nga policia, njësi anti-drogë në territorin e Shkupit. Sipas versionit të tyre, policia i ka ndaluar për t’i legjitimuar dhe më pas ka filluar duke ushtruar dhunë ndaj tyre. Arsye për dhunën sipas dy të rinjve ka qenë akuza e policisë se njërit prej nëpunësve i kanë marrë armen zyrtare. Dy të dhunuarit e kanë përgënjeshtruar këtë version, ndërsa thonë se gjatë lëvizjes me makinë në autostradë janë aksidentuar, duke pretenduar se në veturën e tyre ka edhe plumba që janë gjuajtur nga policia e që sipas tyre ka qenë shkaku për çka janë përplasur me bankinat anësore. Nuk ka një version zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme për rastin në fjalë, përveç njoftimit se Kontrolli i Brendshëm është duke ndërmarrë veprime për të konstatuar nëse në rastin konkret ka tejkalim të kompetencave policore.
“Departamenti po ndërmerr masa dhe veprime për konstatimin e plotë të gjendjes faktike dhe të rrethanave të ngjarjes, si dhe për konstatimin e përgjegjësisë eventuale të nëpunësve policorë të përfshirë. Pas konstatimit të gjendjes faktike, do të ndërmerren masat përkatëse në përputhje me rregulloret ligjore, ndërsa opinioni do të informohet me kohë”, thonë nga Ministria e Brendshme.
