Shkup, 19 maj, Zhurnal.mk – Zëvendëskryeministri i Maqedonia e Veriut, Aleksandar Nikolloski, ka njoftuar se Kroacia ka miratuar një ligj që u mundëson shoferëve profesionistë të marrin viza afatgjata, si pjesë e përpjekjeve për zgjidhjen e problemeve të krijuara nga zbatimi i sistemit EES në zonën Shengen.
Në një postim në Facebook, Nikolloski e cilësoi këtë si një hap të rëndësishëm përpara për transportuesit nga rajoni dhe veçanërisht për shoferët profesionistë nga vendi.
“Ky është një hap përpara në zgjidhjen e problemit që lindi me futjen e sistemit EES në zonën Shengen. Ky ligj do t’i ndihmojë shumë shoferët profesionistë të vendit”, ka shkruar Nikolloski.
Ai theksoi se bëhet fjalë për realizimin e marrëveshjes së arritur në janar të këtij viti me zëvendëskryeministrin dhe ministrin kroat, Oleg Butković.
Sipas Nikolloskit, edhe Zvicra tashmë po lëshon viza afatgjata për shoferët profesionistë, ndërsa pritet që edhe vende të tjera të ndjekin të njëjtin model.
“Ne vazhdojmë të punojmë drejt zgjidhjeve konstruktive për shoferët tanë profesionistë”, ka shtuar ai.
Parlamenti kroat ditëve të fundit miratoi ndryshimet në Ligjin për të Huajt, me të cilat hapet mundësia për lëshimin e vizave afatgjata deri në 365 ditë për shoferët e transportit ndërkombëtar të mallrave dhe autobusëve.
Ndryshimet vijnë pas shqetësimeve të transportuesve nga Ballkani Perëndimor lidhur me rregullin 90/180 ditë dhe zbatimin e sistemit elektronik të hyrje-daljeve EES në zonën Shengen, që sipas transportuesve ka vështirësuar punën e tyre në transportin ndërkombëtar.
