Tiranë, 19 maj, Zhurnal.mk – Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë vizitës zyrtare në Bundestag, zhvilloi një takim me kryetarin Anton Hofreiter dhe anëtarët e Komisionit për Çështjet e Bashkimit Europian.
Gjatë takimit, Balla shprehu mirënjohjen ndaj Bundestagut dhe Qeverisë Federale Gjermane për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, duke theksuar se vendi synon përmbylljen e negociatave me Bashkimi Europian brenda vitit 2027.
Balla komentoi edhe zërat që sipas tij pretendojnë se negociatat janë bllokuar.
“Kush tha që janë bllokuar negociatat?”, shkruan Balla në profilin e tij në rrjetet sociale, duke nënvizuar progresin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Takimi në Berlin vjen në një moment të rëndësishëm për procesin e integrimit të Shqipërisë, ndërsa mbështetja e Gjermanisë konsiderohet kyçe për avancimin e mëtejshëm të negociatave.
Prej të hënës dy bashkëkryetarët e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, Taulant Balla dhe Jorida Tabaku, si dhe kryetari i Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani janë ftuar nga ministri i Shtetit për Europën, Gunther Krichbaum si miq të Republikës Federale të Gjermanisë për një tur takimesh në Kancelari, Qeverinë Federale, Bundestag etj., për të diskutuar mbi “anëtarësimin në BE, statusi dhe perspektivat e vendeve kandididate të avancuara”.
