Parregullsi në shkollën e Vaksincës! Inspektorati obligon arsimtaren për ekzaminim mjekësor

Nga B.M
713 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 5 shkurt – Derisa po rrjedh java e tretë e bojkotit të mësimit në shkollën e disperzuar fillore “Rilindja” të Vaksincës, komuna e Likovës, Inspektorati i Arsimit ka dalë me një aktvendim pas mbikëqyrjes së jashtëzakonshme. Pa dhënë hollësi se çka, kumtuan se kanë konstatuar disa parregullsi në shkollën e disperzuar, që janë evidentuar në procesverbal.

“U është urdhëruar që në afat prej 8 ditësh t’i mënjanojnë parregullsitë e konstatuara dhe të ndërmarrin masa që rregullojnë veprimtarinë edukativo-arsimore dhe sjelljen profesionale të kuadrit mësimor. Si dhe të ndërmarrë masa përkatëse ligjore lidhur me veprimin e një mësimdhënëse, për të cilën është konstatuar se nuk ka vepruar në përputhje me dispozitat e Ligjit për mësimdhënës dhe bashkëpunëtorë profesionalë në shkollat fillore dhe të mesme dhe me kodin etik të përcaktuar”, thotë Inspektorati Shtetëror i Arsimit

Pas skadimit të afatit 8 ditor, drejtoria është e obliguar më së voni brenda tre ditësh, ta njoftojë inspektorin për aktivitetet e ndërmarra dhe për shkallën e realizimit të masave të shqiptuara.

Derisa të ezaurohen afatet ligjore nga drejtoria kanë propozuar që nxënësit t’i kthehen mësimit, pa lëndën e gjuhës angleze, por prindërit këmbëngulin që bojkoti të jetë i përgjithshëm.

Drejtori Idriz Sulejmani tha se kanë urdhëruar për një ekzaminim të ri mjekësor në Institutin e punës në Shkup, i cili do të jetë vendimtarë për kthimin apo largimin e arsimtares nga mësimi.

“Kemi urdhëruar një ekzaminim të detyrueshëm mjekësor me komision të jashtëzakonshëm shëndetësor për të shqyrtuar aftësinë e saj për kryerjen e detyrave të punës, në institucionin kompetent shëndetësor në QSHP ‘Instituti i mjekësisë së punës’ në Çair – Shkup. Për shkak të largimit nga vendi i punës, gjegjësisht ikjes më 14.10.2025, në bazë të Nenit 19, Paragrafi 18, të Ligjit për mësuesit në shkollat fillore, me dyshimin se shëndeti i saj mendor është i dëmtuar për shkak të sëmundjes ose rrethanave të tjera, në të cilat shëndeti ose jeta e nxënësve dhe punonjësve të tjerë mund të rrezikohet gjatë kryerjes së detyrave të punës”, tha Idriz Sulejmani.

Drejtoria e shkollës në bazë të procesverbalit të datës 02.02.2026 të Inspektoratit të Arsimit, e obligon arsimtaren S.S. për ekzaminimi mjekësor sistematik dhe në rast të refuzimit të këtij urdhri, nga drejtoria thonë se do të ndërpritet automatikisht punësimi i saj, sipas Paragrafit 20 të atij ligji. Komisioni pastaj raporton drejtorinë për rezultatet e ekzaminimit mjekësor. Por, këto procedura burokratike kanë lënë pa mësim rreth 100 filloristë për të tretën javë me radhë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër