Pas humbjes nga Spanja, argjentinasit kërkojnë përsëritjen e finales së Botërorit

Nga D. V.
446 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Humbja 1-0 e Argjentinës ndaj Spanjës në finalen e Kupës së Botës 2026 ka shkaktuar reagime të forta në vendin amerikano-jugor, ku një pjesë e tifozëve kanë nisur një fushatë për përsëritjen e ndeshjes.

Sipas gazetës spanjolle El Mundo, në platformat digjitale është iniciuar një peticion që i bën thirrje FIFA-s të rishikojë finalen e zhvilluar të dielën në Nju Jork. Deri më tani, peticioni ka mbledhur mbi 61.500 nënshkrime.

Nisma është ndërmarrë nga tifozja argjentinase Gisela Sanchez, e cila e publikoi peticionin në platformën Change.org, duke vënë në dyshim ndarjen e drejtësisë të sllovenit Slavko Vinçiç.

Sipas autores së peticionit, disa vendime të arbitrit ndikuan drejtpërdrejt në rrjedhën e finales dhe duhet të rishikohen nga FIFA. Megjithatë, ajo nuk ka paraqitur prova konkrete që mbështesin pretendimet e saj.

Pavarësisht numrit të madh të nënshkrimeve, ekspertët theksojnë se kjo fushatë nuk ka asnjë bazë ligjore që mund ta detyrojë FIFA-n të ndryshojë rezultatin ose të urdhërojë përsëritjen e finales.

Sipas rregulloreve të futbollit, një ndeshje zyrtare mund të përsëritet vetëm në rrethana krejtësisht të jashtëzakonshme dhe vetëm pas një vendimi të organeve kompetente të FIFA-s.

Kjo nuk është hera e parë që gjatë Kupës së Botës 2026 ngrihet një peticion i tillë. Më herët, edhe tifozët francezë mblodhën mbi 82 mijë nënshkrime, duke kërkuar përsëritjen e gjysmëfinales ndaj Spanjës për shkak të një episodi kontrovers që parapriu penalltinë e fituar nga Lamine Yamal.

Spanja u shpall kampione e botës pasi mposhti Argjentinën me rezultatin 1-0 pas vazhdimeve, falë golit të Ferran Torresit.

Megjithëse zhgënjimi ishte i madh, mijëra tifozë argjentinas dolën në rrugë pas finales për të përshëndetur kombëtaren e tyre dhe për ta falënderuar për rrugëtimin deri në finale dhe për luftën e zhvilluar në përpjekje për ta mbrojtur titullin e fituar katër vite më parë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër