Lezhë, 1 tetor Zhurnal.mk – Një vatër e madhe zjarri ka përfshirë ditën e sotme fshatin Piraj në Lezhë, duke rrezikuar përhapjen e flakëve në zonat përreth.
Pas më shumë se pesë orësh ndërhyrje intensive nga forcat zjarrfikëse, situata është vënë nën kontroll. Megjithatë, puna në terren vijon për shuarjen e plotë të vatrave të mbetura, ndërsa zona po monitorohet për të parandaluar riaktivizimin e zjarrit.
Prefekti i qarkut Lezhë, Taulant Malshi, bëri me dije se operacioni u përqendrua kryesisht në mbrojtjen e banesave dhe ndalimin e përhapjes së flakëve.
Në aksion u angazhuan forca zjarrfikëse nga Lezha, Vau i Dejës, Kamza dhe Mirdita, të cilat punuan për izolimin e plotë të vatrës dhe neutralizimin e çdo rreziku për banorët dhe banesat.
Autoritetet vijojnë monitorimin e zonës, ndërsa ndërhyrja do të vazhdojë deri në shuarjen përfundimtare të të gjitha vatrave.
