Pas sulmit të gjinekologut në ordinancën e tij, mjekët kërkojnë masa më të forta sigurie

Nga R.ZH
28 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 23 shtator, Zhurnal.mk – Gjinekologu Dejan Ognenoviq është sulmuar në ordinancën e tij, ku ka pësuar lëndim në një rruazë të qafës. Sipas dëshmisë së tij, sulmi ka ardhur pas një serie kërcënimesh që kishte marrë gjatë periudhës së kaluar.

Rastin, Ognenoviq e ka denoncuar në polici më 16 shtator.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë njoftuar se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit. Pas përfundimit të procedurave, pritet që ndaj personit përgjegjës të dorëzohet kallëzim penal në Prokurorinë kompetente.

Mbi 70 për qind e mjekëve janë përballur me dhunë

Rasti i Ognenoviqit rikthen në vëmendje problemin e dhunës ndaj punonjësve shëndetësorë në vend.

Të dhënat e Odës së Mjekëve tregojnë se 78 për qind e mjekëve të përfshirë në anketat anonime kanë deklaruar se janë përballur me një formë dhune gjatë ushtrimit të profesionit.

Rreth 80 për qind e rasteve kanë të bëjnë me dhunë verbale, ndërsa 6.8 për qind me dhunë fizike.

Megjithatë, numri i rasteve të raportuara mbetet dukshëm më i ulët. Sipas të dhënave, gjatë vitit të kaluar janë regjistruar vetëm tri denoncime për dhunë ndaj punonjësve shëndetësorë.

Oda e Mjekëve e ka dënuar ashpër sulmin ndaj gjinekologut dhe ka theksuar se dhuna nuk mund të jetë mënyrë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Nga Oda kanë rikujtuar se sulmi ndaj një punonjësi shëndetësor gjatë kryerjes së detyrës trajtohet si sulm ndaj personit zyrtar dhe, në varësi të rrethanave të rastit, mund të parashikojë edhe dënim me burg, shkruan Zhurnal.mk.

Ekipet e urgjencës më të ekspozuara

Sipas mjekëve, ndër më të rrezikuarit janë ekipet e Urgjencës dhe Ndihmës së Shpejtë Mjekësore, për shkak të natyrës së punës dhe kontaktit të drejtpërdrejtë me pacientët dhe familjarët në situata të tensionuara.

Problem në rritje paraqesin edhe kërcënimet dhe ofendimet përmes rrjeteve sociale.

Përballë kësaj situate, mjekët kërkojnë masa më të forta sigurie në institucionet shëndetësore, vendosjen e kamerave të sigurisë, protokolle të qarta për reagim në rast incidentesh, si dhe përmirësimin e komunikimit ndërmjet personelit mjekësor dhe pacientëve.

Ndër propozimet e bëra është edhe vendosja e butonëve të panikut në institucionet shëndetësore, të cilët do të lidhen me sistemet e alarmit, me qëllim mundësimin e reagimit sa më të shpejtë të institucioneve kompetente në rast rreziku.

Sulmi ndaj gjinekologut Dejan Ognenoviq pritet të jetë pjesë e procedurës hetimore të autoriteteve, ndërsa institucionet shëndetësore dhe Oda e Mjekëve kërkojnë që siguria e personelit mjekësor të trajtohet me masa konkrete dhe më efikase.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër