Pavarësisht dëshirës për t’u larguar, Julian Alvarez nis përgatitjet me Atleticon

Nga D. V.
671 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Julian Alvarez ka rifilluar kontaktet me Atletico Madridin dhe ka nisur programin e personalizuar të stërvitjeve të përgatitur nga klubi për futbollistët që kanë qenë të angazhuar me kombëtaret.

Sipas “MARCA”, sulmuesi argjentinas ndodhet aktualisht me pushime në Ibiza, por që nga 1 gushti është duke ndjekur udhëzimet e stafit teknik të Atleticos. Ai pritet t’i bashkohet skuadrës në stërvitje më 10 gusht.

Ky zhvillim vjen pasi Alvarez i kishte bërë të ditur klubit dëshirën e tij për t’u larguar dhe për t’iu bashkuar Barcelonës.

Megjithatë, Atletico Madridi ka qenë i prerë në qëndrimin e tij, duke refuzuar mundësinë e negociatave me rivalin nga La Liga dhe duke e konsideruar argjentinasin pjesë të rëndësishme të projektit të Diego Simeones.

Edhe pse e ardhmja e tij vazhdon të mbetet e paqartë, fakti që Alvarez ka nisur programin individual të përgatitjeve tregon se ai po përgatitet të rikthehet normalisht në skuadër dhe nuk synon të ushtrojë presion ndaj klubit duke munguar në stërvitje.

Drejtuesit e Atleticos besojnë se reprezentuesi argjentinas do të vazhdojë të sillet në mënyrë profesionale, edhe pse nuk përjashtohet mundësia që një ofertë e madhe nga jashtë Spanjës të ndryshojë situatën përpara mbylljes së afatit kalimtar.

Alvarez iu bashkua Atletico Madridit nga Manchester City dhe mbetet nën kontratë me klubin madrilen. Nëse qëndron, ai pritet të jetë një nga lojtarët kyç në planet e Simeones për sezonin e ri, pavarësisht spekulimeve të vazhdueshme rreth të ardhmes së tij.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër