Tiranë, 9 shtator, Zhurnal.mk – Zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli publikoi sot dokumentet zyrtare të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor lidhur me skemën e financimit të hemodializës.
Në një deklaratë për medie, Vangjeli u shpreh se skema ngre pikëpyetje shumë serioze për ligjshmërinë, transparencën dhe përdorimin e parave publike.
Sipas saj, bëhet fjalë për një situatë ku shteti shqiptar ka lidhur një kontratë 10-vjeçare koncesionare për hemodializën me shoqërinë “DiaVita”, ndërkohë që, paralelisht, FSDKSH ka financuar të njëjtin shërbim përmes kontratave me spitale private.
Vangjeli theksoi se KLSH ka konstatuar se këto kontrata me spitalet private janë lidhur drejtpërdrejt, pa zbatuar procedura prokurimi apo procedura konkurruese.
Konkretisht sipas saj në kuadër të koncesionit të dializës, në 10 shkurt 2016, Ministria e Shëndetësisë ka lidhur kontratën koncesionare për ofrimin e shërbimit në pesë qendra rajonale: Shkodër, Lezhë, Korçë, Vlorë dhe Elbasan, me afat 10 vite dhe vlerë 8,6 miliardë lekë.
Ndërkohë Vangjeli bëri të ditur se paralelisht shteti ka vazhduar të paguajë spitalet private për të njëjtin shërbim.
“Raporti zyrtar i KLSH-së për terapinë renale është i qartë: përveç koncesionit, FSDKSH ka lidhur kontrata me spitale jopublike për ofrimin e hemodializës. KLSH evidenton konkretisht: Spitalin Amerikan Tiranë; Spitalin Amerikan Fier; Spitalin Amerikan Durrës; Spitalin Amerikan Gjirokastër; si dhe ofrues të tjerë privatë. Pra kemi dy kanale financimi publik për të njëjtin shërbim”, tha Vangjeli.
/m.m/a.f/
