TIRANË, 31 mars – Partia Demokratike kërkoi sot interpelancë me ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, në lidhje me ndërprerjen e analizave laboratorike për pacientët në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Përmes një deklarate për mediet nga kryesia e Kuvendit, deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, njëherësh kryetar i Komisionit për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale, tha se “ky ësht një akt i paprecedent” që po ndodh në “kurriz të qytetarëve shqiptarë”.
“Pas datës 20 të çdo muaji, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) ndërpret kryerjen e analizave laboratorike, duke lënë mijëra pacientë në mëshirë të fatit. Ky nuk është thjesht një dështim administrativ; ky është një krim i hapur kundër jetëve të bashkqytetarëve tanë”, tha ai.
Sipas tij koncesioni i analizave laboratorike është ndërtuar për të mbrojtur koncesionarin, jo qytetarin.
Spahia tha se qytetarët, duke mos pasur qasje në analizat bazë, përballen me pritje të gjata ose janë të detyruar të paguajnë shërbimet nga xhepi.
“Mënyra si është ndërtuar kjo kontratë e përcakton qartë: kur buxheti i parashikuar shkon drejt fundit, ndalet shërbimi normal për qytetarin dhe rrezikun e merr përsipër vetëm qytetari. Sepse është qytetari ai që: pret me javë, shtyn analizat, ose detyrohet të paguajë nga xhepi. Ky nuk është thjesht një problem teknik. Ky është një model qeverisjeje që vendos në qendër përfitimin e koncesionarit, jo shërbimin cilësor për pacientët”, tha ai.
Sipas tij përballë këtij kolapsi total, PD kërkon interpelancë me Ministren e Shëndetësisë.
“Ministrja duhet të dalë menjëherë para shqiptarëve dhe të japë llogari: Pse janë ndalur analizat? Ku kanë shkuar fondet e dedikuara për laboratorët? Si mundet që luksi i hoteleve dhe rrugëve të florinjta të ketë prioritet para jetës së një pacienti që pret në radhë te QSUT?”, tha Spahia.
Nga ana tjetër Spahia e konsideroi si të papranueshme “mungesën e hetimit dhe marrjen e masave për këtë kontratë nga ana e SPAK”.
“Ndërkohë që askush nuk ka shkuar para drejtësisë, të vetmit që paguajnë koston e korrupsionit në shëndetësi dhe koston e zvarritjes sëhetimeve janë shqiptarët”, tha ai.
