PD: Posta Shqiptare rrit tarifat e shërbimeve, drejtësia ta hetojë

Nga D. V.
256 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 19 maj, Zhurnal.mk – Deputeti i Partisë Demokratike, Blendi Himçi, tha sot se Posta Shqiptare ka rritur tarifat e shërbimeve ndaj qytetarëve. Në një deklaratë për mediet, Himçi theksoi se rritja e tarifave postare nuk lidhet me krizat globale, por me mënyrën se si janë administruar institucionet publike.

Sipas tij, në vend që Posta Shqiptare të investojë në infrastrukturë digjitale dhe përmirësim të shërbimeve, ka zgjedhur të rrisë tarifat për qytetarët, pavarësisht problemeve të vazhdueshme me sigurinë, eficiensën dhe transparencën.

Himçi theksoi se më të prekurit nga kjo rritje janë pensionistët dhe shtresat më vulnerabël të shoqërisë, të cilët përdorin më shpesh shërbimet postare dhe po përballen me kosto shtesë.

Sipas tij, realiteti i Postës Shqiptare flet vetë si institucion që del çdo vit me humbje financiare, administratë e fryrë me punësime klienteliste dhe patronazhiste, strukturë pa analizë të qartë kostoje dhe pa eficiensë operacionale, menaxhim pa vizion, pa përgjegjësi dhe pa transparencë.

“Ky nuk është model shërbimi publik. Ky është modeli i korrupsionit dhe dështimit institucional. Qytetarët shqiptarë nuk mund dhe nuk duhet të paguajnë faturën e paaftësisë, korrupsionit dhe abuzimit me institucionet publike”, tha ai.

Himçi deklaroi se PD do të ndjekë me vëmendje situatën në Postën Shqiptare dhe i bën thirrje organeve të drejtësisë të hetojnë institucionin, duke kërkuar transparencë të plotë financiare.

“Shqipëria nuk mund të ndërtohet mbi tarifat që rëndojnë qytetarët dhe mbi institucionet që janë kthyer ne banke pasurimi për pushtetarët. Shqipëria duhet të ndërtohet mbi drejtësinë, eficiensën dhe respektin për qytetarin”, tha ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër