PD: Qeveria mban peng zgjedhjet në Rrogozhinë, presidenti të dekretojë datën

Nga D V
502 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 5 gusht, Zhurnal.mk – Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore në Partinë Demokratike, Marash Logu, tha sot se qeveria në shkelje të Kushtetutës dhe të Kodit Zgjedhor, prej gjashtë muajsh po pengon zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme vendore në bashkinë e Rrogozhinës.

Sipas Logut, ish-kryetari i Bashkisë Rrogozhinë, Edison Memolla, u shpall përfundimisht fajtor më 9 shkurt 2026 nga Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për veprën penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje, duke u dënuar me një vit burg.

Sipas tij, në zbatim të Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisjen vendore, dënimi penal i formës së prerë sjell ndërprerjen e menjëhershme të mandatit të kryetarit të bashkisë.

Ai bëri të ditur se më 11 shkurt 2026 Këshilli Bashkiak i Rrogozhinës njoftoi Prefektin e Qarkut Tiranë për përfundimin para kohe të mandatit të Memollës, ndërsa Prefekti informoi Këshillin e Ministrave për krijimin e vakancës.

Logu theksoi se, sipas nenit 10 të Kodit Zgjedhor, Këshilli i Ministrave duhet të njoftojë menjëherë Presidentin e Republikës, i cili më pas cakton datën e zgjedhjeve të pjesshme vendore brenda 45 ditëve. Sipas tij, zgjedhjet në Rrogozhinë duhej të ishin zhvilluar brenda datës 28 mars 2026.

Partia Demokratike e cilësoi këtë situatë si antidemokratike, antikushtetuese dhe antiligjore, duke i bërë thirrje Presidentit të Republikës që të dekretojë pa vonesë datën e zgjedhjeve të pjesshme vendore në Rrogozhinë, në mënyrë që qytetarët të zgjedhin përfaqësuesin e tyre.

“Le të jenë qytetarët e Rrogozhinës që vendosin se kush do t’i drejtojë, dhe jo farefisi apo krushqia e kryetarit të shkarkuar për korrupsion zgjedhor”, tha ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër