Tiranë, 15 tetor, Zhurnal.mk – Grupi parlamentar i Partisë Demokratike dënoi sot fuqimisht dhunën ndaj studentëve në protestë, ndërsa shprehu mbështetje për kërkesat e tyre politike për dorëheqjen e qeverisë dhe krijimin e një qeverie kujdestare për përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Përmes një deklarate për shtyp, grupi parlamentar i PD-së thekson se prej 48 orësh, Shqipëria po përjeton lëvizjen më të fuqishme studentore të 35 viteve të fundit.
“Kjo është përgjigjja e një brezi që refuzon të pranojë më tej keqqeverisjen, arrogancën, korrupsionin dhe kapjen e shtetit nga pushteti i Edi Ramës. Kjo lëvizje nuk është thjesht një protestë kundër një qeverie. Është një revoltë kundër një modeli të krijuar nga Edi Rama që u ka vjedhur të rinjve shpresën, u ka cenuar qytetarëve besimin dhe po e largon Shqipërinë gjithnjë e më shumë nga e ardhmja europiane”, thuhet në deklaratë.
Grupi parlamentar i PD-së deklaron se është dhe do të mbetet pa asnjë ekuivok në krah të studentëve, nxënësve, të rinjve dhe të rejave, si dhe të çdo qytetari që ngrihet për dinjitet, drejtësi dhe një Shqipëri më të mirë.
Deklarata vë në dukje se detyra politike dhe qytetare e grupit parlamentar të PD është e qartë. “Të jemi pranë protestuesve, të mbështesim kërkesat e tyre dhe të dëgjojmë zërin e një brezi që nuk pranon më të trajtohet me përbuzje nga pushteti”, thuhet në deklaratë.
PD thekson se “kur studentët janë në rrugë, kur universitetet përballen me bojkotin dhe kur kërkesat e tyre kërkojnë përgjigje politike, institucionet nuk mund të sillen sikur asgjë nuk po ndodh”.
“Nuk mund të ketë normalitet parlamentar përballë një krize të thellë politike dhe shoqërore, ndërsa zëri i qytetarëve shpërfillet dhe kërkesat e tyre mbeten pa përgjigje. Për ne, mesazhi është i qartë: studentët në rrugë, deputetët e opozitës në krah të tyre. Nuk mund të ketë fasadë normaliteti institucional kur qytetarët kërkojnë ndryshim dhe pushteti zgjedh të mos i dëgjojë”, vijon deklarata.
Ndaj grupi parlamentar i PD-së mbështet kërkesat politike për ndryshim dhe përkrah kërkesave për dorëheqje të menjëhershme të qeverisë së Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie kujdestare, me mision të vetëm përgatitjen dhe garantimin e zgjedhjeve të parakohshme, të lira dhe të ndershme.
PD kërkon vetëshpërndarjen e Parlamentit aktual, i cili sipas PD-së, nuk mund të pretendojë se përfaqëson normalisht vullnetin e qytetarëve përballë krizës së besimit dhe kërkesës për ndryshim.
“Shqipëria nuk mund të mbahet peng nga një pushtet që e sheh çdo protestë si kërcënim dhe çdo kërkesë për llogaridhënie si sulm ndaj vetes. Studentët nuk kanë nevojë për leksione arrogance, as për premtime të radhës. Ata meritojnë përgjigje, përgjegjësi dhe ndryshim real. Sot, përgjegjësia është e qartë: të dëgjohet zëri i qytetarëve dhe t’i hapet rrugë një zgjidhjeje politike që i kthen vendit legjitimitetin demokratik”, thuhet në deklaratën e grupit parlamentar të PD-së.
