PDK e konteston në Kushtetuese votimin e Qeverisë, Tahiri: Do t’i sfidojmë të gjitha vendimet

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 15 shtator, Zhurnal.mk – Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka njoftuar se PDK-ja ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shqyrtimin e votimit të Qeverisë së re, e cila u votua më 13 shtator, raporton Ekonomia Online.

Pas dorëzimit të lëndës, Tahiri tha se Kuvendi aktual, sipas vlerësimit të PDK-së, është i pakonstituuar dhe pa legjitimitet të plotë.

“Sot bashkë, bashkë përsëri me Përparimin, që ju kemi paralajmëruar edhe dje, jemi këtu te Gjykata Kushtetuese, ku e deponuam kërkesën tonë për me e trajtuar edhe po ashtu çështjen e votimit të Qeverisë”, tha Tahiri.

Ai theksoi se, sipas PDK-së, Gjykata Kushtetuese duhet të ndërhyjë për të rikthyer, siç u shpreh ai, ligjshmërinë dhe respektimin e rendit kushtetues.

“Pra, ky Kuvend, i cili tashmë ka dilema dhe është i vlerësuar prej anës tonë që është i pakonstituuar dhe pa legjitimitet të plotë, patjetër që duhet t’i vendoset masa dhe duhet të kthehet ligjshmëria nga Gjykata Kushtetuese”, deklaroi ai.

Tahiri paralajmëroi se PDK-ja do t’i drejtohet Kushtetueses edhe për vendime të tjera që mund të merren nga Kuvendi.

“Sepse secili vendim që derivon nga ky Kuvend i pakonstituuar, ne do ta deponojmë në Gjykatën Kushtetuese dhe do të kërkojmë ligjshmëri”, tha ai.

“Sot e bëmë për Qeverinë, e cila është votuar me datën 13, dhe po ashtu po paralajmëroj edhe njëherë se secilat vendime apo secilat akte juridike që dalin, ne do t’i sfidojmë në Gjykatën Kushtetuese, për shkak se konsiderojmë se është shumë e rëndësishme që vendi me u kthy në binarë kushtetues”, përfundoi Tahiri.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër