Shkup, 21 gusht, Zhurnal.mk – Pas më shumë se një muaji, autoritetet shëndetësore e kanë hequr epideminë në Gostivar, e shpallur për shkak të ujit të ndotur në rrjetin e ujësjellësit. Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, sot njoftoi se nuk ka raste të reja të infektuar nga ujësjellësi.
„Sot Qendra për Shëndet Publik Tetovë vendosi ta ndërpresë gjendjen e epidemisë në Gostivar. Sipas të dhënave epidemiologjike nuk ka më raste të gastroenterokolitit, enterokolitit apo problemeve të stomakut të lidhura me ujin e pijshëm,“ tha ministri Klekovski.
Ai theksoi se nuk ka pasur pacientë të hospitalizuar nga uji i ndotur, pasi qëndrimet 24‑orëshe nuk llogariten si hospitalizim. Deri më tani autoritetet shëndetësore nuk kanë evidentuar rast të hepatitit nga uji i ndotur në Gostivar, por gjendja vazhdimisht monitorohet.
Në Gostivar epidemia u shpall më 19 korrik, pasi mbi 1.000 qytetarë raportuan probleme të stomakut, ndërsa uji nga rrjeti i qytetit u ndalua për pije. Analizat më vonë treguan se uji përmbante baktere fekale.
Javën e kaluar, pas procedurave të pastrimit të sistemit, u hoq ndalimi për përdorimin e ujit të pijshëm nga ujësjellësi i qytetit, dhe për të bindur qytetarët se uji është i pastër, drejtuesit e institucioneve që udhëhoqën pastrimin, para kamerave, pinë ujë nga çezma e qytetit.
