Përfundoi puna e grupit punues të partive politike: Zgjedhjet e reja me dhjetra rregulla të reja

Nga D. V.
671 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 12 qershor, Zhurnal.mk – Në zgjedhjet e mundshme të parakohshme parlamentare, të cilat gjithnjë e më shpesh paralajmërohen nga kryeministri Hristijan Mickoski, mund të shkohet me disa dhjetëra rregulla të reja zgjedhore. Miratimi i rregullave të reja zgjedhore në formën e një Kodi të ri Zgjedhor, sipas informacioneve, vjen si nevojë pas punës së sotme të grupit ndërpartiak në Ministrinë e Drejtësisë. Grupi sot, siç ishte paralajmëruar kohë më parë nga Ministria e Drejtësisë, ka shqyrtuar edhe zgjidhjet e fundit konkrete që do të përfshihen si rregulla të reja zgjedhore, të propozuara nga institucione si KSHZ, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Agjencia për Shërbime Mediatike dhe të tjera, shkruan Vecer, transmeton Zhurnal.

Me ftesë të Ministrisë së Drejtësisë, në mbledhje morën pjesë përfaqësues të institucioneve që më parë kishin dorëzuar propozime, mendime dhe rekomandime në kuadër të procesit të përgatitjes së ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, për të cilat nevojiteshin sqarime shtesë. Me qëllim sigurimin e një debati më të plotë dhe më të argumentuar, institucionet patën mundësinë të prezantojnë drejtpërdrejt para anëtarëve të Grupit të Punës propozimet e tyre dhe të japin shpjegime shtesë për çështjet që ishin objekt shqyrtimi. Javën e ardhshme do të përfshihen zgjidhjet e harmonizuara në tekstin e projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Zgjedhor, i cili do t’u dorëzohet anëtarëve të Grupit të Punës për shqyrtim shtesë dhe vërejtje eventuale – njoftoi sot Ministria e Drejtësisë.

Deri më tani, përfaqësuesit e partive politike, pa pjesëmarrjen e opozitës më të madhe LSDM, kanë rënë dakord për disa dhjetëra zgjidhje të reja ligjore që do të përgatiten për miratim. Por, edhe kjo mbetet e pasigurt duke pasur parasysh mundësinë që socialdemokratët opozitarë të përdorin të drejtën e “filibastering”-ut, me çka miratimi i rregullave të reja zgjedhore praktikisht do të bllokohej. Nga radhët e socialdemokratëve deri më tani është deklaruar se vendimin për këtë do ta marrin pasi të shohin çfarë është dakorduar nga puna e grupit. Ata vendosën të mos marrin pjesë si shprehje e pakënaqësisë për shkak të heqjes së modelit të qeverisë së përkohshme të tipit “Przhino” pa pëlqimin e tyre.

Burime jozyrtare për gazetën Veçer theksojnë se deri më tani dispozitat e harmonizuara bazohen kryesisht në rekomandimet zgjedhore të OSBE-së dhe ODIHR-it. Anëtarët janë pajtuar për dispozitat që lidhen me përdorimin e mjeteve buxhetore të institucioneve gjatë fushatës zgjedhore, përdorimin e profileve zyrtare të institucioneve në rrjetet sociale gjatë zgjedhjeve dhe fushatës, shpalljet dhe procedurat e punësimit, si dhe përjashtimin e personave me profesione specifike nga procesi zgjedhor, si p.sh. mjekët. Një pjesë e harmonizimit ka të bëjë edhe me subjektet që marrin listën e votuesve dhe afatet për dorëzimin e saj. Është dakorduar edhe zgjidhja për ndarjen e drejtë të fondeve shtetërore për reklamat zgjedhore të partive, duke eliminuar paqartësinë e Kodit aktual, sipas të cilit të drejtën për fonde shtetërore për fushatë e kishin vetëm dy parti nga pushteti dhe opozita, si dhe ato pa grup parlamentar (me më pak se pesë deputetë), por jo partitë që kishin, për shembull, gjashtë deputetë – siç ishte rasti në zgjedhjet e kaluara me lëvizjen ZNAM dhe “Levica”. Në tekstin ligjor me shumë gjasë do të përfshihet edhe dispozita që ndalon krijimin e shpejtë të portaleve online me qëllim përfitimi të fondeve shtetërore nga reklamat partiake, si dhe detyrimi që ato të jenë të regjistruara me domenin “.mk”, pra të regjistruara në Maqedoni.

Në mbledhjen e sotme, sipas informacioneve jozyrtare, nuk është diskutuar për futjen e një modeli të ri zgjedhor me një njësi zgjedhore. Arsyeja ishte pamundësia për të arritur konsensus mes partive. Kjo, me gjasë, do të thotë se votimi i ardhshëm do të zhvillohet sipas modelit të vjetër me gjashtë njësi zgjedhore.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër