Përmbyllet manifestimi tradicional “Ditët e Agimit 2026” në Zhegër

Nga D. V.
234 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 4 maj, Zhurnal.mk – Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, dhe të Shoqatës Kulturore “Ditët e Agimit” në Zhegër, janë përmbyllur aktivitetet e manifestimit tradicional kulturor “Ditët e Agimit 2026”.

Në këto aktivitete, sipas njoftimit, kanë marrë pjesë përfaqësues nga Qeveria e Kosovës, Komuna e Gjilanit, subjektet politike dhe të tjerë.

Me rastin e përmbylljes së manifestimit, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka thënë se në Zhegër janë mbledhur për të kujtuar figurën e Komandant Katanës, Agim Ramadanit.

“Sot në Zhegrën e tij, aty ku lindi shpirti i lirë që do t’i jepte dritë maleve tona, u bëmë bashkë për të përmbyllur ‘Ditët e Agimit’”, ka deklaruar Hyseni.

Ai ka theksuar se më 3 maj, Komandant Katana do të shënonte 63-vjetorin e lindjes, po të mos ishte rënë në altarin e atdheut.

“Sikur jeta të mos ishte ndërprerë në altarin e atdheut, komandant Katana, sot do të festonte ditëlindjen e tij të 63-të. Në këtë 3 maj, ne nuk kujtuam vetëm një komandant që theu kufijtë e padrejtë me forcën e grykës së pushkës. Ne kujtuam poetin që e shkroi lirinë me vargje para se ta vuloste me gjak, dhe artistin që pikturoi të ardhmen tonë me ngjyrat e sakrificës”, është shprehur ai.

Kryetari i Gjilanit ka shtuar se gjatë këtyre ditëve Zhegra dhe Gjilani janë përfshirë në aktivitete të ndryshme, duke kujtuar trashëgiminë e Agim Ramadanit.

“Nga fushat e sportit te vargjet e rinisë, Zhegra dhe Gjilani frymuan këto ditë me energjinë e tij”, ka thënë Hyseni.

Në fund, Hyseni ka nderuar figurën e komandantit të UÇK-së me mesazhin: “Lavdi e përjetshme Komandantit Agim Ramadani”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër