Përshkallëzohet lufta tregtare SHBA-Kanada, Otava përgatitet për kundërpërgjigje

Nga D V
572 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Uashington, 25 gusht, Zhurnal.mk – Presidenti amerikan, Donald Trump ka kërcënuar se do të dyfishojë nga 25% në 50% tarifat për automjetet dhe pjesët e makinave të importuara nga Kanadaja, duke nisur nga 1 janari, raportoi BBC.

Ky vendim vjen pas dështimit të negociatat tregtare SHBA-Kanada në fundjavë.

Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për kërkesa të papranueshme të bëra në momentet e fundit.

Kryeministri kanadez, Mark Carney tha se kërcënimi i Trump nuk ishte një surprizë dhe e akuzoi atë se kërkon të shkatërrojë industrinë kanadeze të automobilëve.

Ai deklaroi se Kanadaja është e gatshme të rikthehet në negociata vetëm nëse SHBA-ja vjen me “qëndrimin e duhur”.

Carney paralajmëroi gjithashtu se Kanadaja do t’u përgjigjet tarifave amerikane me tarifa reciproke – dollar për dollar – ndaj mallrave amerikane.

Kanadaja përgatitet për kundërpërgjigje

Qeveria kanadeze pritet të prezantojë masat e saj për përballimin e luftës tregtare, ndërsa bizneset paralajmërojnë se tarifat e reja do të rrisin kostot dhe çmimet.

Kanadaja ka njoftuar gjithashtu 11 miliardë dollarë kanadezë për ndërtimin e gjashtë akullthyeseve të reja, me synim forcimin e infrastrukturës dhe diversifikimin e tregtisë së vendit, e cila tradicionalisht është shumë e varur nga SHBA-ja.

Guvernatori i Ontarios, Doug Ford, një nga zërat më kritikë ndaj Trump, reagoi ashpër ndaj presidentit amerikan, ndërsa sugjeroi që Kanadaja të vendosë tarifa shtesë ndaj SHBA-së për naftën, gazin, energjinë elektrike dhe mineralet kritike.

Trump iu përgjigj duke akuzuar Ford për “mburrje” dhe paralajmëroi se pasojat për Kanadanë mund të jenë “shumë më të këqija”.

SHBA-ja varet nga Kanadaja për energjinë

Sipas të dhënave kanadeze, Kanadaja siguron rreth 60% të importeve të naftës bruto të SHBA-së dhe pothuajse 100% të gazit natyror që SHBA-ja importon.

Bizneset në të dyja vendet kanë paralajmëruar se përshkallëzimi i tarifave do të dëmtojë kompanitë dhe konsumatorët, duke rritur çmimet.

Rrezikohet edhe marrëveshja SHBA-Kanada-Meksikë

Përshkallëzimi i konfliktit po ngre pikëpyetje edhe për USMCA, marrëveshjen tregtare mes SHBA-së, Kanadasë dhe Meksikës, e cila mbështet rreth 1,6 trilionë dollarë në tregtinë e Amerikës së Veriut.

Kanadaja dhe Meksika kërkojnë zgjatjen e marrëveshjes për 16 vite të tjera, ndërsa SHBA-ja ka deklaruar se nuk do ta rinovojë kontratën në formën aktuale.

Ekspertët e “Oxford Economics” paralajmërojnë se rreziku i shpërbërjes së USMCA-së është rritur dhe se një zhvillim i tillë mund ta çojë Kanadanë në recesion dhe ta vendosë ekonominë e saj në një trajektore më të dobët rritjeje, për një kohë të gjatë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër