Petrova: Tatimi për paratë e fituara jashtë, vetëm zbatim i ligjit ekzistues

Nga Xh M
239 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 22 prill Zhurnal.mk – Drejtoresha e Drejtorisë për të Ardhura Publike, Elena Petrova në Intervistën për Alsat tha se tatimi për paratë e fituara jashtë shtetit nuk është tatim i ri e as rregull e re, por vetëm zbatim i qëndrueshëm i një ligji ekzistues. Ajo sqaroi se ky është një rregull i përgjithshëm dhe se të gjithë banorët e të gjitha shteteve i deklarojnë dhe paguajnë tatim në shtetin e vet, pavarësisht se ku i kanë fituar të ardhurat e tyre.

“Jo, aspak nuk bëhet fjalë për futje të një tatimi të ri , por bëhet fjalë për zbatim të qëndrueshëm të një ligji që ka ekzistuar deri më tani. Domethënë vendosja e tatim mbi të ardhurat që qytetarët i fitojnë jashtë vendit është rregulluar jo vetëm në ligjin ekzistues për të ardhurat personale, por edhe më herët te ligji për tatimin e të ardhurave personale dhe ky është një rregull i përgjithshëm në të gjitha juridiksionet. Pra në cilin do shtet, banorët tatimorë të atij vendi aty në shtetin e vet, duhet t’i tatimojnë, gjegjësisht t’i deklarojnë të gjitha të ardhurat e realizuara në shtet dhe jashtë tij, dhe ai koncept, e ajo rregull është paraqitur në rregullativën tonë tatimore. Pra ne e zbatojmë rregullativën ligjore”, deklaroi Petrova.

Drejtoresha e DAP-it, shprehet e prerë se nuk ka dhe nuk mund të ketë tatim të dyfishtë, pasi vetë rregullativa e pamundëson një gjë të tillë. Duke komentuar ankesat e studentëve, të cilët thonë se për “Work and Travel” tashmë kanë paguar tatim në vendin nga ku i kanë fituar të ardhurat dhe se tani obligohen për tatim të dyfishtë, Elena Petrovska sqaron se në raste të tilla, studentët apo të gjithë qytetarët që tashmë kanë paguar tatim jashtë, duhet të sigurojnë një dëshmi për tatimin e paguar jashtë vendit dhe atë dëshmi e dorëzojnë te Drejtoria Për të Ardhura Publike, që të mund të pranohet si kredi tatimore.

“Te të ardhurat që qytetarët i realizojnë jashtë vendit nuk ka dhe nuk mund të ketë tatim të dyfishtë, sepse rregullativa pamundëson tatimin e dyfishtë. Vetëm nevojitet zbatimi i procedurave të caktuara të përcaktuara në ligje dhe në marrëveshjet ndërkombëtare. Domethënë prej ligjit për të ardhura publike, del që qytetari e paguan tatimin në Maqedoni, por tatimi i paguar në vendin e huaj me të cilën nuk kemi marrëveshje ndërkombëtare pranohet këtu si kredi tatimore. Poashtu edhe me marrëveshjet ndërkombëtare, saktë rregullohet se në cilin vend duhet të paguhet tatimi dhe rregulli i përgjithshëm është se tatimi nuk mund të paguhet në të dyja vendet por duhet të paguhet në njërin nga vendet. Që të kihet kujdes ndaj këtij rregulli dhe të mos ketë as tatim të dyfishtë e as lirim të dyfishtë, respektivisht tatimi të mos paguhet askund, duhet të zbatohet procedurë e caktuar, gjegjësisht qytetari për realizimin e të ardhurave duhet të posedojë dëshmi, dokument i dhënë nga administrata tatimore, për tatimin e paguar në vendin ku është tatimuar”, tha Drejtoresha e DAP-it, Elena Petrova për Alsat.

Ajo nënvizoi se DAP po u del në ndihmë studentëve dhe qytetarëve duke u dhënë njoftime dhe kohë për sigurimin e dëshmive, si dhe duke u dhënë mundësi që vullnetarisht ta plotësojnë obligimin ligjorë. Pra, sipas saj, nuk shkohet direkt me dënime, obligime apo pagesa të detyrueshme.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër