Bruksel, 18 qershor, Zhurnal.mk – Një minahedhës gjerman po kalon përmes Kanalit të Suezit në rrugën e tij drejt Detit të Kuq, në kuadër të një dislokimi të mundshëm në Ngushticën e Hormuzit, deklaroi sot ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius.
Duke folur në Bruksel para një takimi me homologët e NATO-s, Pistorius konfirmoi se dy anije të Marinës Gjermane – minahedhësi “Fulda” dhe një anije furnizimi “Mosel” – po lundrojnë drejt zonës së Ngushticës së Hormuzit.
Më herët, dy anijet ishin dislokuar në Mesdheun lindor, në pritje të një marrëveshjeje paqeje mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, ndërsa kancelari gjerman, Friedrich Merz premtoi se Gjermania, do të marrë pjesë në një mision, për të garantuar sigurinë e këtij korridori detar strategjik, sapo të përfundojnë luftimet.
Angazhimi i Gjermanisë në misionin e ri për sigurimin e ngushticës, do të kërkonte miratimin parlamentar, ndërsa Merz deklaroi në samitin e G7-tës këtë javë, se shpreson që votimi të zhvillohet para pushimit veror, i cili nis më 10 korrik.
Megjithatë, Pistorius theksoi se nuk nevojitet autorizim i veçantë për dërgimin e anijeve drejt rajonit, pasi lëvizja mbulohet nga mandati i Gjermanisë në kuadër të operacionit të BE-së “Aspides”, i cili synon mbrojtjen e transportit detar në Detin e Kuq nga sulmet e milicisë Houthi, të mbështetur nga Irani në Jemen.
“Ne duam të jemi të gatshëm të veprojmë shpejt dhe, mbi të gjitha, të jemi me shpejtësi në Ngushticën e Hormuzit”, tha Pistorius.
Anijet luftarake do të shoqërohen nga sisteme autonome, mjete zhytëse për pastrimin e minave dhe forca sigurie, në rast të një misioni të mundshëm.
“Destinacioni fillestar i lundrimit është Xhibuti”, tha Pistorius, duke shtuar se nëse do të realizohet apo jo një operacion për pastrimin e minave në Hormuz mbetet ende “e hapur”, pasi kërkohet një kuadër i qartë ligjor ndërkombëtar.
Sipas tij, do të ishte gjithashtu e nevojshme edhe miratimi i Iranit dhe Omanit për operacione të tilla.
“Shumë prej operacioneve, varen nga zhvillimi i negociatave mes Iranit dhe SHBA-së në 60 ditët e ardhshme”, tha ministri gjerman i Mbrojtjes.
Ai mirëpriti përparimin e arritur dhe marrëveshjen për ndalimin e menjëhershëm të armiqësive.
“Në çdo rast, ne jemi të gatshëm. Kur të vijë momenti, jemi të përgatitur”, tha Pistorius.
