“Po na kufizohet çdo gjë”, çmimi i naftës arrin sërish 1.50 euro, reagojnë qytetarët

Nga L. M
933 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Vazhdon shtrenjtimi i karburanteve sërish. Sot çmimi i naftës ka arritur në vlerën prej 1.50 euro centë për një litër, çmim ky maksimal i përcaktuar për sot nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Ky shtrenjtim, për qytetarët po është i papërballueshëm dhe një shpenzim më shumë. Derisa më 25 qershor, çmimi i naftës në vendin tonë pati rënë në 1.36 euro-centë për litër.

Qytetari njëherësh kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli ka kërkuar sot nga Qeveria e Kosovës të kontrollojnë rritjen e këtyre çmimeve.

Hykolli për KosovaPress vlerësoi se rritja e çmimit të naftës po e rëndon edhe më shumë buxhetin e qytetarëve, duke kufizuar sidomos lëvizjen e tyre. Ai u bëri thirrje Qeverisë së Kosovës dhe partnerëve socialë që të trajtojnë me urgjencë këtë situatë, pasi, sipas tij, çmimet janë bërë të papërballueshme për qytetarët.

“Rritja e naftës sot është një shpenzim plus për ne si qytetarë të Kosovës. Domethënë na kufizohet çdo gjë; udhëtimi, kryesisht. Qeveria e Kosovës edhe partnerët socialë duhet patjetër që ta shikojnë këtë, këtë ngritje të çmimit, sepse është e papërballueshme për qytetarët e Kosovës”, tha Hykolli për KP.

Ndërsa Ilir Brajshorii po i duhet t’i reduktojë udhëtimet në përditshmëri shkak i këtyre çmimeve.

“Po, po, shumë gjëra po i heqim, a po dëgjon? Se ndonjëherë po duhet, se s’po mundesh me ia dalë, po kupton, me këtë rrogë, a din?”, tha Brajshori.

E sipas Shpend Gjinajt, qytetarët po e kanë të domosdoshme t’i përballojnë këto situata.

“Qytetarët po e përballojnë, dashte s’dashte, jemi të detyruar… Qeveria të punojë më shumë”, tha Gjinaj.

Gjatë muajve të fundit, çmimi i derivateve është rritur dhe kjo ka vështirësuar jetën e përditshme të qytetarëve.

Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë ka publikuar çmimet maksimale të derivateve për ditën e sotme.

Sipas njoftimit, çmimi maksimal i naftës për sot është 1.50 euro-cent për litër, çmimi i benzinës është 1.39 euro-cent për litër, ndërsa i gazit 0.61 cent për litër.

Çmimi për naftën është shtrenjtuar për 1 cent krahasuar me çmimin sa ishte dje 1.43 euro-centë, përcjell KosovaPress. Derisa më 25 qershor, çmimi i naftës pati rënë në 1.36 euro-centë.

Lufta filloi me sulmet amerikane dhe izraelite në të gjithë Iranin më 28 shkurt, duke e shtyrë Iranin të sulmonte Izraelin dhe shtetet aleate të SHBA-së në Gjirin Persik – si dhe duke mbyllur në mënyrë efektive Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe transporti për naftën dhe gazin natyror të lëngshëm në botë.

Si rrjedhojë e konfliktit të nisur më 28 shkurt në Lindjen e Mesme, çmimet e naftës në Kosovë kishin arritur deri 1.91 euro – centë për litër.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër