Policia, marrëveshje bashkëpunimi me Inspektoratin e Përgjithshëm kundër shkeljeve në territor dhe tregun e punës

Nga D. V.
180 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 21 prill Zhurnal.mk – Nënshkruhet Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Inspektoratit të Përgjithshëm “Për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe të koordinuar për parandalimin dhe goditjen e ndërtimeve pa leje, krimeve mjedisore, punës së paligjshme dhe shkeljeve në tregun e punës, si dhe për rritjen e sigurisë ushqimore, barnave dhe pajisjeve mjekësore”.

Me qëllim vendosjen dhe zhvillimin e një bashkërendimi të qëndrueshëm, efektiv dhe të strukturuar mes palëve, në funksion të mbrojtjes së interesit publik, si dhe parandalimit dhe goditjes së kriminalitetit në fushat e përgjegjësisë së secilit institucion, paraditen e sotme, në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Inspektoratit të Përgjithshëm.

Përfaqësuesit e të dyja institucioneve, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita dhe Kryeinspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula vlerësuan se kjo marrëveshje përfaqëson një angazhim të përbashkët për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe për rritjen e besimit të publikut, nëpërmjet një bashkëpunimi më të ngushtë dhe më të qëndrueshëm.

Drejtori i Përgjithshëm theksoi se Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për të mbështetur Inspektoratin, në nivel qendror dhe lokal, si dhe çdo institucion tjetër, me qëllim zbatimin e ligjit dhe rritjen e sigurisë së jetës për qytetarët.

Ndërkaq, Sula vuri theksin te rëndësia e nënshkrimit të marrëveshjes, e cila ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, në funksion të garantimit të zbatimit të legjislacionit në fuqi, forcimit të shtetit të së drejtës, mbrojtjes së interesit publik, si dhe parandalimin dhe goditjen e kriminalitetit në fushat me interes të përbashkët.

Fokusi i kësaj marrëveshjeje do të jetë veçanërisht mbështetja e inspektimeve të strukturave të Inspektoratit të Përgjithshëm, inspektorateve qendrore dhe vendore, si dhe strukturave të tjera inspektuese, në sektorë me risk të lartë, si: ndërtimet pa leje, krimet mjedisore, siguria ushqimore, barnat dhe pajisjet mjekësore, puna e paligjshme dhe shkeljet në tregun e punës, duke garantuar ndërhyrje të koordinuar dhe efektive gjatë ushtrimit të detyrës, në rastet e rezistencës fizike, pengimit në kryerjen e detyrave apo për mbrojtjen e personelit, nga subjektet e proceduar të inspektimit apo individë të ndryshëm.

Gjithashtu, marrëveshja synon rritjen e kapaciteteve profesionale përmes trajnimeve të përbashkëta, shkëmbimit të ekspertizës dhe unifikimit të praktikave të punës, si dhe informimin e publikut, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe respektimin e konfidencialitetit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër