MASH dhe VLEN dakordohen për ligjin e ri për arsimin e lartë, dërgohet në procedurë qeveritare

Nga B.M
132 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 21 prill, Zhurnal.mk – Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka zhvilluar sot një takim me partnerët e koalicionit qeveritar VLEN lidhur me tekstin e propozuar të ligjit për arsimin e lartë, i cili pritet të hyjë në procedurë qeveritare.

Ministrja Vesna Janevska bëri të ditur se gjatë takimit janë shqyrtuar gjashtë pika kyçe të projektligjit, për të cilat, sipas saj, është arritur pajtueshmëri e plotë mes palëve.

Ajo theksoi se pesë nga pikat kanë qenë të dakorduara më herët dhe nuk kanë qenë kontestuese, pasi kanë qenë pjesë e një procesi të vazhdueshëm diskutimi. Ndërsa për pikën e gjashtë, që lidhet me përdorimin e Indeksit të Hirshovit (h-index), është gjetur një zgjidhje kompromisi.

Sipas saj, Indeksi i Hirshovit, i cili mat produktivitetin dhe ndikimin e publikimeve shkencore të hulumtuesve, nuk do të jetë kriter bazë për përzgjedhje dhe avancim në titujt akademikë, por do të përfshihet si element shtesë. Në rastet kur kandidatët kanë vlerësim të barabartë, ky indeks do të shërbejë si faktor vendimtar.

“Kishim gjashtë pika që i diskutuam dhe ramë dakord për të gjashtë dhe nesër ligji do të hyjë në procedurë qeveritare,” deklaroi ministrja, duke shtuar se procesi ka qenë gjithëpërfshirës dhe i vazhdueshëm.

Deklaratat ajo i bëri para hapjes së një aktiviteti të organizuar nga INOVA, ku u trajtuan çështje që lidhen me inovacionin dhe zhvillimin shkencor.

Projektligji për arsimin e lartë pritet të shqyrtohet në Qeveri në ditët në vijim, ndërsa më pas do të procedohet në Kuvend për miratim.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër