Prokuroria nuk konfirmon nëse raportet për cilësinë e ujit në Gostivar kanë qenë të sakta apo të rreme

Nga I.A
643 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 22 korrik, Zhurnal.mk – Prokuroria po heton edhe nëse analizat e rregullta të ujit në Gostivar janë kryer sipas procedurave dhe pse ndotja e ujit të pijshëm nuk është konstatuar me kohë nga institucionet përgjegjëse.

Në një brifing me gazetarët, prokurorët deklaruan se për momentin nuk mund të konfirmojnë nëse në periudhën e kaluar janë dorëzuar raporte të sakta apo të pasakta për cilësinë e ujit, pasi hetimet janë ende në fazë aktive.

Sipas tyre, do të realizohen ekspertiza shtesë për të verifikuar mënyrën e marrjes dhe analizimit të mostrave të ujit. Gjithashtu, do të rishikohen të gjitha analizat e kryera gjatë këtij viti dhe vitit të kaluar. Nëse evidentohen parregullsi ose përgjegjësi nga persona apo institucione të tjera, hetimi do të zgjerohet edhe ndaj tyre.

Ndërkohë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë bëri të ditur se analizat e kryera nga Qendra për Shëndet Publik në Gostivar më 29 qershor dhe 13 korrik e kishin vlerësuar ujin si të sigurt për konsum.

Megjithatë, pikërisht më 13 korrik u regjistrua rritja e numrit të pacientëve me simptoma gastrointestinale, çka ka ngritur dyshime nëse ndotja e ujit ka mbetur e pakonstatuar në analizat e kryera dhe nëse procedurat e kontrollit janë zbatuar në mënyrë të rregullt.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër