Shkup, 1 shtator, Zhurnal.mk – Prokuroria e Lartë Publike e ka ngarkuar OJQK‑në të mbledhë dhe analizojë të dhëna shtesë nga disa institucione, si dhe të urdhërojë ekspertiza të reja për përcaktimin e plotë të të gjitha rrethanave në lëndë dhe të përgjegjësisë eventuale penale.
“Nuk është me rëndësi nëse ministri i Punëve të Brendshme është i kënaqur ose jo nga ndonjë vendim i Prokurorisë Publike, me rëndësi është nëse qytetarët në fund do të shohin drejtësi në këtë betejë sizifiane, që ta shohim drejtësinë në fund të ditës”, deklaroi sot ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, i pyetur për koment pas vendimit të Prokurorisë së Lartë që të vazhdojë procedimin për rastin “Mazut”.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas vizitës në Shkollën e Mesme Policore “7 Maj”, Toshkovski shprehu shpresë se Prokuroria “do të mbledhë guxim dhe profesionalisht do t’i kushtohet të gjitha detajeve që lidhen jo vetëm me këtë lëndë, por edhe me të gjitha lëndët e tjera”.
“Gjithçka me qëllim që në fund të ditës ta shohim pikën e ndritshme në tunel, e ajo është ta shohim drejtësinë që të gjithë e dëshirojmë”, deklaroi Toshkovski, i cili sot i përshëndeti nxënësit e pranuar në Shkollën e Mesme Policore “7 Maj” me rastin e fillimit të arsimit të tyre.
Toshkovski theksoi se, nga informacionet e ndara me të dhe që lidhen me rastin, “do ta tronditin publikun kur të ndahen”.
“Unë thashë edhe më parë se, sipas asaj që është ndarë me mua si informacion nga ata që kanë punuar intensivisht në atë lëndë – hetues që janë pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, por të dërguar për punë në kuadër të Prokurorisë Publike për Krim të Organizuar, si dhe disa prej tyre të dërguar për punë në kuadër të MPB‑së në sektorin për Krim të Organizuar informacionet që u ndanë me mua dhe që lidhen me rastin, jam i sigurt se do ta tronditin publikun kur të ndahen me publikun. Ja, aq do të them dhe do ta lë hetimin të flasë vetë në publik më tej”, deklaroi Toshkovski.
Prokuroria e Lartë Publike Shkup dje e anuloi urdhrin për ndërprerjen e hetimit për furnizimet me mazut për TEC “Negotinë” dhe e ngarkoi Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OJQK) ta vazhdojë procedurën.
Siç njoftuan nga Prokuroria Publike, prokurori publik kompetent nga Prokuroria e Lartë e ka pranuar ankesën e AD ESM kundër urdhrit për ndërprerjen e hetimit.
Prokuroria e Lartë e ka ngarkuar OJQK‑në të mbledhë dhe analizojë të dhëna shtesë nga disa institucione, si dhe të urdhërojë ekspertiza të reja për përcaktimin e plotë të të gjitha rrethanave në lëndë dhe të përgjegjësisë eventuale penale.
OJQK në maj të këtij viti solli vendim për ta mbyllur hetimin për furnizimin me mazut për TEC “Negotinë”. Nga Prokuroria, në brifing me mediat, arsyetuan se pas një hetimi njëvjeçar, nuk u konfirmuan pretendimet nga kallëzimi penal, për çka nuk u përcaktua ekzistimi i veprës penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare.
Hetimi përfshiu gjithsej 13 persona, ndër ta edhe ish‑drejtorin e ESM‑së, Vasko Kovaçevski, i cili është në arrati, si dhe disa ish‑funksionarë dhe zyrtarë nga sektori energjetik. Ndër të dyshuarit kryesorë në lëndën me vlerë 167 milionë euro janë edhe biznesmenët Asmir Jahoski, pronar i “Pucko Petrol”, dhe Ratko Kapushevski, pronar i RKM.
