Shkup, 05 Maj, Zhurnal.mk – Një nëpunëse e ministrisë së bujqësisë në Maqedoni të Veriut është shpallor fajtore sot nga gjykatësit për marrje ryshfeti lidhur me fondet e Bashkimit Evropian të destinuara për bujqit e vendit, shkruan Zhurnal.mk.
Jasmina Kostadinova u ndëshkua sot me 10 muaj burg nën akuzën e prokurorisë të ketë marrë para nga një kompani vendore.
Kostadinovskës i mbeten edhe 3 muaj për të vuajtur dënimin e marrë sot, pasi që ajo ndodhet në arrest shtëpiak që nga nëntori i vitit të kaluar, ka raportuar Skopje1.mk.
I akuzuar për marrje ryshfeti është edhe Ilija Stoilev, ish-drejtor i Agjencisë së Mbështetjes Financiare.
Edhe, Xhevdet Nasufi, ish-ministër i Drejtësisë dhe Vetëqeverisjes Lokale në qeverinë e Ljubço Georgievskit, si drejtor i kompanisë “Signas-Argo” ndodhet në listën e të akuzarëve. Ai akuzohet se u ka dhënë ryshfet tre personave për të ndikuar te Stoilevi për të nënshkruar projektin e kompanisë me qëllim që të merrte para nga programi IPARD III.
Komisioni Evropian (KE) i ka dhënë fund pezullimit të shpërndarjes së fondeve për sektorin bujqësor me 30 prill, pas disa muajsh pezullimi të pagesave për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të parave të BE-së për bujqit.
KE tha se heqja e pezullimit u bë pas informatave të dhëna nga autoritetet në Shkup mbi masat e marra nga autoritetet në Shkup.
BE-ja ka ndarë gjithsej 97 milionë euro për fondin IPARD III të Maqedonisë së Veriut për periudhën 2021-2027, nga të cilat 7 për vitin 2021, 8 për vitin 2022, 12 për vitin 2023, 15 për vitin 2024, 17 për vitin 2025, 18 për vitin 2026 dhe 20 për vitin 2027. / Zhurnal.mk
