Kumanovë, 19 prill Zhurnal.mk – Qen endacakë në qendër të Kumanovës, nëpër trotuare, qen endacakë edhe në oborrin e Spitalit të Përgjithshëm në Kumanovë. E pasi qytetarët e Kumanovës të sulmohen, këto pamje i presin edhe në oborrin e Ndihmës së Shpejtë në spital.
Qytetarët kërkojnë zgjidhje për tmerrin që po e përjetojnë gjithandej në Kumanovë.
“Çdo ditë sulmojnë, vetëm në Llojan janë mbi 30 qen”. ”Komuna duhet t’i grumbulloje, si në Likovë si këtu, ka shumë qen, gjithandej. ”Unë e kam vreshtin afër kufirit dhe aty na sulmojnë.”I lëshojnë nga Serbia, i sjellin deri në kufij me kamionë dhe i lëshojnë për këndej, kjo është shumë e dëmshme”, tha një qytetar.
”Rëndë është situata me qentë në Kumanovë, ja ku është një, ja edhe tjerë andej, të gjithë neper spital.” Njihni dikë që e kanë sulmuar? Para pesë ditësh e sulmuan vajzën time atje poshtë”, tha një qytetar tjetër. ”Fajtor është komuna apo shteti, nëse e rreh qenin atëherë është fajtorë ai që e rreh qenin por për këto gjëra përgjegjësi ka shteti”, u shpreh qytetari.
Sipas drejtorit të spitalit, Sasho Stojçevski, për tre muaj e gjysmë, 37 pacientë kanë kërkuar ndihmë mjekësorë për shkak të kafshimeve nga qentë endacak. Përveç pacientëve, nga qentë endacak janë sulmuar edhe stafi i spitalit të përgjithshëm në Kumanovë. thotë Blend Aliu, Përgjegjës i repartit të ndihmës së shpejtë.
“Kemi shqetësim serioz me qentë endacak të cilët sillen rreth oborrit të spitalit dhe të repartit të ndihmës së shpejtë, për shkak se i sulmojnë qytetarët dhe rasti më i fundit ishte para disa minutave u sulmua njëri nga personeli i stafit, pra kemi problem të madh me qentë endacak”, deklaroi Blend Aliu – Përgjegjës i repartit të ndihmës së shpejtë.
Nga Komuna e Kumanovës nuk kane ndonjë plan konkret për këtë dukuri, madje thonë se pasi qentë të kapen dhe te sterilizohen, pas tre javësh përsëri lëshohen ne rruge.
”Problemi me qentë endacakë nuk mund të zgjidhet në niveli të komunës dhe duhet shteti të gjejë mënyrë më serioze sa i përket këtij problemi. Në bashkëpunim me stacionin veterinar japin sugjerime por nëse shkohet në mënyrë serioze mund të zgjidhet në afat tre apo katër vite. Duhet të dihet se pasi qentë kapën ato ruhen për 30 ditë me çip dhe të sterilizuar lëshohen përsëri në vendin ku janë marrë”, tha Boban Bojkovski – Inspektor i mjedisit jetësor në komunën e Kumanovës.
Komuna e Kumanovës, për vitin 2025, ka paguar rreth 65 mijë euro dëmshpërblim ndaj qytetarëve të kafshuar nga qentë endacakë, çka tregon se kjo dukuri i ka dëmtuar ndjeshëm buxhetit komunal.
