Shkup, 19 korrik, Zhurnal.mk – Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se, duke filluar nga sot dhe gjatë ditëve në vijim, do të sigurojë 50.000 litra ujë të pijshëm falas çdo ditë për qytetarët e Gostivarit, për shkak të problemeve me furnizimin me ujë në qytet.
Sipas njoftimit, Qeveria që nga momenti i parë është në koordinim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet kompetente dhe po e ndjek nga afër zhvillimin e situatës.
“Përveç reagimit institucional, veprimeve të organeve kompetente dhe realizimit të të gjitha kontrolleve dhe analizave të nevojshme, Qeveria ka marrë vendim që në mënyrë intervenuese të sigurojë nga sot dhe në ditët në vijim nga 50.000 litra ujë të pijshëm falas në ditë për qytetarët e Gostivarit, me qëllim që të plotësohen nevojat bazë të popullsisë derisa të zgjasin masat dhe rekomandimet e institucioneve kompetente”, thuhet në komunikatë.
Shpërndarja e ujit do të realizohet përmes Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë, në shtatë pika në Gostivar:
- Ndërmarrja e Ujësjellësit – Gostivar, rr. JNA nr. 139;
- Kopshti i fëmijëve “Pranvera”, rr. Beliçica nr. 47;
- Shkolla e Mesme Ekonomike e Gostivarit, rr. Zhivko Brajkovski nr. 39;
- NP “Pyjet Kombëtare” – Njësia “Shar”, rr. Vëllezërit Gjinoski nr. 165;
- AD ESM – Njësia pranë garazheve (Pitarnica), rr. Ilindenska;
- Spitali i Përgjithshëm “Ferid Murad”, parkingu, rr. Çede Filipovski nr. 29;
- Njësia Territoriale Kundër Zjarrit – Gostivar, rr. Beliçica nr. 35.
Nga Qeveria theksojnë se institucionet kompetente vazhdojnë kontrollet intensive, analizat dhe veprimet hetimore për të përcaktuar shkaqet e situatës së krijuar.
“Presim zbardhjen e plotë të rastit dhe secili që do të konstatohet se mban përgjegjësi do të përgjigjet në përputhje me ligjin”, thuhet në reagim.
Qeveria u bën thirrje qytetarëve të respektojnë rekomandimet e institucioneve kompetente dhe informacionet t’i ndjekin vetëm përmes kanaleve zyrtare, deri në normalizimin e plotë të gjendjes.
