Shkup, 7 korrik, Zhurnal.mk – Koordinatori I grupit parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, ka theksuar se për VLEN-in rëndësi ka që diaspora të mos trajtohet si remitenca por të ketë qasje dhe të drejtë votimi pavarësisht formave.
“Siç e dini, ndryshimet në Kodin zgjedhor kanë hapur debat në opinion. Fatkeqësisht, një pjesë e këtij debati po zhvillohet rreth frikës nga vota e diasporës, në vend që të fokusohet te ajo që është thelbësore, si ta bëjmë procesin zgjedhor më demokratik e më inkluziv. Për VLEN-in, ky është një nga proceset më të rëndësishme në kuadër të Agjendës reformuese dhe afrimit të vendit me standardet evropiane. Që në takimin e liderëve, ne kërkuam që ky proces të mos kufizohet vetëm në çështje teknike, por të trajtojë edhe tema që e zgjerojnë pjesëmarrjen demokratike. Një prej tyre është krijimi i mundësive që qytetarët tanë në diasporë ta ushtrojnë më lehtë të drejtën e votës”, ka theksuar Qoku.
Bekim Qoku tutje potencon që është e patjetërsueshme që diasporës t’i mundësohet votimi, përmes cilave do forma me rëndësi ata të votojnë.
“Për ne, është me rëndësi që diaspora të ketë mundësi të votojë, qoftë përmes votimit elektronik, qoftë përmes formave të tjera të sigurta, transparente dhe të besueshme, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Diaspora jonë nuk është vetëm për remitenca. Ajo nuk mund të kujtohet vetëm kur dërgon para, kur investon në vendlindje apo kur ndihmon ekonominë e shtetit. Ajo është pjesë e pandashme e shoqërisë sonë dhe doemos duhet të ketë mundësi të jetë pjesë edhe e vendimmarrjes. Prandaj, nuk besojmë se bllokadat me mijëra amendamente i shërbejnë këtij procesi. Qytetarët presin zgjidhje, jo pengesa. Presin dialog dhe reforma që e përmirësojnë sistemin, e jo taktika që e mbajnë atë peng”, ka shkruar deputeti, Bekim Qoku.
Në fund, Qoku thotë se ndryshimet duhet të jenë në përputhje me rekomandimet e organizatave ndërkombëtare.
“Ndryshimet në Kodin zgjedhor duhet të ndërtohen mbi rekomandimet e ODIHR-it të OSBE-së dhe mbi obligimet që burojnë nga Agjenda reformuese. Ne mbështesim çdo zgjidhje që e bën procesin zgjedhor të hapur dhe inkluziv. Reformat nuk bëhen për interesat e partive politike, por për qytetarët dhe për të ardhmen evropiane të vendit. Andaj, mesazhi ynë tani e gjithmonë është i njëjtë. Diaspora nuk është vetëm për remitenca, por duhet të jetë pjesë e vendimmarrjes. Këtë e kemi kërkuar që në takimin e liderëve dhe këtë do ta mbrojmë gjatë gjithë procesit për ndryshimet në Kodin zgjedhor”, ka përfunduar Qoku.
