Rama: Mediet greke u bënë njësh me shqiponjat për të “shpëtuar” atdheun nga 4 miliardë euro investim

Nga D. V.
713 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 01 qershor, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale reagimin e kryetarit të diasporës shqiptare në Greqi, Edmond Guri, i cili shprehet i habitur me jehonën që ka shkaktuar në median greke ngjarja në Zvërnec.

Guri shprehet se në 35 vite në Greqi nuk e ka parë kurrë këtë mobilizim.

Në këtë drejtim, Rama kujton se “për herë të parë në 35 vite Shqipëria po synon Olimpin e turizmit me një projekt marramendës, që nuk e ka askush në këtë anë të botës”.

“E tani që projektit po i afrohet dita e daljes në dritë, dolën shqiponjat të mbrojnë atdheun nga 4 miliardë eurot investim të partnerëve amerikanë e katariotë. Dhe për herë të parë në 35 vjet, mediat greke dhe faqet me miliona ndjekës në Greqi, janë bërë njësh me shqiponjat për të shpëtuar atdheun tonë nga ardhja e hoteleve më prestigjiozë të botës”, shtoi Rama.

Më poshtë reagimi i plotë i Kryeministrit Rama:

“35 vjet s’e kam parë kurrë këtë mobilizim”

Eh vëllai im, po normal, sepse për herë të parë në 35 vite Shqipëria po synon Olimpin e turizmit me një projekt marramendës, që nuk e ka askush në këtë anë të botës.

E tani që projektit po i afrohet dita e daljes në dritë, dolën shqiponjat të mbrojnë atdheun nga 4 miliardë eurot investim të partnerëve amerikanë e katariotë.

Dhe për herë të parë në 35 vjet, mediat greke dhe faqet me miliona ndjekës në Greqi, janë bërë njësh me shqiponjat për të shpëtuar atdheun tonë nga ardhja e hoteleve më prestigjiozë të botës, nga 10 mijë vende pune cilësore, nga rritja e prodhimit të përgjithshëm kombëtar me 4% deri në 2030, rritja e të ardhurave për frymë, rritja e pagave e pensioneve (si në Malin e Zi për shembull, largqoftë), nga rritja e vlerës së pronës së çdo vlonjati e jo vetëm, nga zgjerimi i zinxhirit të vlerës për bujqit, peshkatarët, shoferët e me radhë të gjithë subjektet e lidhura me atë zinxhir, nga personazhet botërore të artit, sportit, modës, biznesit, që mos e dhëntë Zoti do vinin e do flinin, disa edhe do blinin edhe shtëpi në Vlorë…

Po mirë këto, po pse pak është shpëtimi i Shqipërisë nga rritja e mëtejshme e imazhit ndërkombëtar, i cili edhe kaq edhe u teprua shumë, sepse në sytë e botës Shqipëria duhet të jetë mafie, korrupsion, llum.

Prandaj të gjithë shqiponjat në protestë sot, se mbulimin nga media greke e keni të garantuar, dy zogj me një gur d.m.th”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër