Rama: Në Vlorë ku Punët e Shqipërisë flasin vetë dhe sezoni turistik pritet me optimizëm

Nga D. V.
280 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 13 prill Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama, ishte sot në qytetin e Vlorës, nga ku pa nga afër përgatitjet për sezonin turistik dhe punën e bërë në terren nga autoritetet lokale.

Kreu i qeverisë përmes një postimi në rrjetet sociale ndau një foto së bashku me drejtuesin politik të qarkut të Vlorës, Bledi Çuçi, ku shkruan se “në Vlorë Punët e Shqipërisë flasin vetë dhe sezoni turistik pritet me optimizëm e me punë në çdo drejtim”.

Gjatë ditës së sotme kreu i qeverisë inspektoi ecurinë e punimeve në shëtitoren bregdetare “Lungomare 4”, ku vijon puna për të përmirësuar cilësinë e hapësirave publike në zonat me potencialin më të lartë turistik të qytetit, e frekuentuar nga vizitorë vendas e të huaj.

“Lungomare 4” është vazhdimi i shëtitores ekzistuese në krahun perëndimor, me një gjatësi fillestare prej rreth 500 metrash linear.

Projekti parashikon ndërtimin e një promenade me gjerësi rreth 7 metra, si dhe një piste biçikletash prej 2 metrash, duke krijuar një hapësirë funksionale dhe të integruar për këmbësorët dhe përdoruesit e biçikletave.

Shëtitorja “Lungomare 4” është pjesë e një strategjie më të gjerë për transformimin urban të Vlorës, duke synuar rritjen e cilësisë së jetës, përmirësimin e aksesueshmërisë dhe forcimin e potencialit turistik të qytetit.

Vizita në Vlorë e kryeministrit Edi Rama është në kuadër të takimeve me qytetarët në funksion të turit “Punët e Shqipërisë”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër