Rama protestuesve: Hajde të flasim, ndryshe secili në punën e vet! Ju në kor me robt e shtëpisë time, unë në krye të punëve të Shqipërisë!

Nga Xh M
764 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 2 qershor Zhurnal.mk – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me protestën e zhvilluar një ditë më parë në Tiranë për çështjen e Zvërnecit. Përmes një mesazhi të shoqëruar me pamje nga tubimi, kreu i qeverisë shqiptare i ka bërë një ftesë të hapur protestuesve për një bashkëbisedim publik me një përfaqësi prej jo më shumë se 20 personash, për të diskutuar mbi transparencën, investimet e huaja dhe mbrojtjen e natyrës.

Megjithatë, Rama nuk ka kursyer ironinë ndaj thirrjeve të përdorura në protestë, duke u shprehur se çështjet familjare duhet të mbeten private, ndërsa ka theksuar se mbetet i vendosur në rrugëtimin e tij politik drejt integrimit të vendit në Bashkimin Europian brenda vitit 2030.

“Çuna! Unë sinqerisht ju pëlqej vërtetë, sidomos ata ndër ju që votojnë për mua – ka plot aty jashtë këtij korit udhëheqës – dhe mbi të gjitha, sepse të paktën jeni më të freskët se sa mbeturinat politike që më vijnë poshtë dritares tash 13 vjet, por nëse ky është vizioni juaj për mbrojtjen e natyrës dhe për “Shqipërinë e Shqiptarëve”, ju uroj sinqerisht shumë fat në të ardhmen, sepse do t’ju duhet. Deri atëherë, mua këtu më keni, gjithmonë gati për t’ju dëgjuar, nëse doni të flasim për Zvërnecin, për arrogancën, për dhunën, për mosinformimin, për transparencën, për pronat, për investimet e huaja, për natyrën, flamingot, shqiponjat, apo për çdo çështje tjetër me interes publik. Sepse robt e shtëpive tona janë interes privat dhe të tillë duhet të mbeten them unë apo jo? Po që kjo imja të mos mbetet thjesht si një “larje goje” në mexhelis apo largqoftë te merret si tallje me ju, mblidhuni, jo më shumë se 20 vetë dhe bujrum, ulemi në një bashkëbisedim publik, ku të doni dhe kur të doni. Nëse doni, natyrisht. Se po nuk deshët, prapë i kemi punët tona te ndara: ju në kor me robt e shtëpisë time, unë në krye të punëve të Shqipërisë, me votën e shqiptarëve, për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”, ka shkruar Rama.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër