Rama: Shëtitorja “Taulantia” në Durrës me pamje të re brenda qershorit

Nga D. V.
272 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 9 prill Zhurnal.mk – Shëtitorja “Taulantia” në Durrës shumë shpejt do të ketë një pamje të re.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga kryetarja e bashkisë Durrës, Emiriana Sako inspektoi sot kantierin e shëtitores “Taulantia” ku puna po vijon me ritme të larta.

Kryeministri bëri të ditur se brenda muajit qershor, kjo shëtitore e rilindur do të jetë gati për të mikpritur turistët e shumtë.

Në këtë shëtitore ka nisur tashmë edhe montimi i strukturave hijezuese të konceptuara nga studioja prestigjioze e arkitekturës europiane, spanjollja “Bofill Taller de Arquitectura”.

Ricardo Bofill është një arkitekt spanjoll i njohur për dizajnet e tij të guximshme dhe inovative që ndërthurin stilet moderne dhe postmoderne.

Studioja e tij arkitekturore ka përfunduar projekte në mbarë botën, me një stil që karakterizohet nga forma gjeometrike, kënde dramatike dhe përdorimi i lëndëve të para si betoni dhe çeliku.

Projekti i zbatuar në shëtitoren “Taulantia” sjell pikërisht këtë stil, ndërkohë që në tërësi investimi përfshin krijimin e hapësirave të gjelbra, sistemin e ri të ndriçimit, këndet sportive, si dhe hapësira rekreative.

Shëtitorja në vijën bregdetare të Durrësit një nga zonat turistike më të frekuentuara gjatë verës nga pushues vendas e të huaj, ka po ashtu korsi të posaçme për këmbësorët dhe biçikletat.

Durrësi është prej qyteteve destinacione turistike, që vitet e fundit ka njohur rritje të numrit të vizitorëve të huaj, ndërsa të shumta janë kroçerat që sjellin turistë nga vende të ndryshme të botës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër