Rama: Shqipëria përjetoi shijen e stërkeqe të ndasisë fetare dhe urrejtjes etnike

Nga D. V.
375 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 24 korrik, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se protestat e lidhura me projektin e Zvërnecit, në rastin më të mirë do ishin një çështje shqiptare jashtë vëmendjes së botës.

Por, sipas Ramës, për shkak se në qendër të atij projekti është dhëndri më i famshëm në botë, Donald Trump dhe e bija e tij, falë kësaj lidhjeje çështja u bë legjendë globale.

“Por falë asaj lidhjeje, ajo u bë menjëherë një legjendë globale, ku shumëkush ndër fansat e huaj të protestës, përfshirë edhe një senator mitik të SHBA-së, deshi ta shihte Shqipërinë si shëmbëlltyrën guximtare të një Davidi të vogël, që u ngrit dhe u rebelua ndaj Goliathit të plotfuqishëm, duke bërë thirrje që bota mbarë ta merrte nga Shqipëria mësimin dhe të ngrihej në atë revolucionin e madh dhe të shumëpritur të ish-proletarëve”, tha Rama.

Rama tha se në epokën e rrjeteve sociale, ngjarje të tilla mund të shndërrohen shpejt në simbole ndërkombëtare, ku pamjet, emocionet dhe interpretimet e ndryshme krijojnë narrativa që tejkalojnë kufijtë e një vendi.

“Ky është fakt i kohës së kanaleve sociale ku noton sot bota. Zvërneci dha videon revoltuese, flamingoja dha simbolin magjepsës, hija e vjehrrit më të famshëm në botë dha magnetin global, dhe algoritmi i yshtur nga ustallarë të ndërhyrjes në punët e tjerëve bëri pjesën tjetër. Me një shkrepëse të ndezur pranë pyllit me pisha në Nartë, shpërndau një zjarr marramendës anembanë botës”, u shpreh Rama.

Rama theksoi se, pavarësisht jehonës ndërkombëtare, “shkaku i shqetësimit ishte brenda vendit dhe zemra e protestës ishin qytetarët shqiptarë”.

Sipas tij, përgjigjja ndaj kësaj situate duhet të vijë nga institucionet shqiptare dhe jo nga aktorë që, sipas tij, kërkojnë të përfitojnë politikisht duke nxitur pakënaqësi.

Kreu i Ekzekutivit shtoi se disa kundërshtarë e kanë përdorur protestën për interesa të tjera, duke deklaruar se “ata kanë pasur nevojë për plagën, por nuk ishin ata që e krijuan protestën”.

“Prandaj përgjigja duhet të jetë e jona, jo e sharlatanëve, ekstremistëve apo çdo dështaku publik që në këto raste gjenden gjithmonë gati me receta çudibërëse për popullin, të cilat shkruhen vetëm mbi një parim: o burra rrëzojmë gjithçka, të rregullohet çdo gjë dhe unë të kap diçka. Ata kishin nevojë për plagën, por nuk e krijuan ata protestën. E rrëmbyen dhe vazhduan ta mishërojnë si llumi që dekanton pasi thahet prurja e ujit të rrjedhshëm”, vijoi ai.

Kryeministri ngriti gjithashtu shqetësimin për ndikimin e dezinformimit në rrjetet sociale, duke thënë se qëllimi i aktorëve keqdashës është dobësimi i besimit të qytetarëve te institucionet, media, drejtësia, parlamenti dhe procesi i integrimit evropian.

“Një vend pa besim është i pambrojtur dhe një demokraci pa besim është një shesh për çdo përshesh”, deklaroi Rama.

Ai u ndal edhe te shfaqja e gjuhës së urrejtjes fetare dhe etnike gjatë protestave, duke e cilësuar si një zhvillim shqetësues dhe një objektiv të mundshëm të operacioneve të manipulimit të opinionit publik.

Sipas Ramës, sfida kryesore mbetet ruajtja e besimit shoqëror dhe përballimi i një realiteti të ri, ku informacioni dhe perceptimet publike ndikohen gjithnjë e më shumë nga hapësira digjitale.

“Sepse një vend pa besim është i pambrojtur dhe një demokraci pa besim është një shesh për çdo përshesh. Fakti që për herë të parë Shqipëria përjetoi shijen e stërkeqe të dasisë fetare dhe urrejtjes etnike, të cilat u manifestuan për turpin e të gjithë neve në rrugën e protestës, ishte drejtpërdrejt objektiv i operacionit të tyre”, tha ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër