Rama “shtrin dorën” dhe vendos ftesat për dialog në sofrën përpara Kryeministrisë

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 1 nëntor Zhurnal.mk – Edhe ditën e sotme përpara Kryeministrisë është vendosur sofra e gurtë, mbi të cilën janë ekspozuar gjashtë ftesa për dialog drejtuar të rinjve protestues. Kryeministri Edi Rama vijon të kërkojë një tryezë diskutimi me ta, me qëllim adresimin e problematikave dhe kërkesave të ngritura gjatë protestave.

Prej afro dy javësh të rinjtë kanë refuzuar ftesat e kryeministrit, duke i grisur ato dhe duke deklaruar se nuk kanë më çfarë të diskutojnë me të. Megjithatë, Rama ka përsëritur gatishmërinë për t’u ulur në dialog me studentët, në çdo kohë dhe vend, për të diskutuar shqetësimet e tyre.

Nga ana tjetër, protestuesit vijojnë të mbushin rrugët e Tiranës, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit. Tubimet, të cilat kanë vijuar prej ditësh, janë shoqëruar edhe me episode dhune, duke ngritur shqetësime për sigurinë publike.

Për zhvillimet kanë reaguar edhe përfaqësues të Bashkimit Evropian, të cilët kanë dënuar si aktet e dhunës ndaj institucioneve dhe efektivëve të policisë, ashtu edhe rastet e dhunës policore. Njëkohësisht, përfaqësuesit e BE-së kanë bërë thirrje për dialog mes palëve.

Ndërsa protesta hyn në ditën e saj të 20-të, mbetet për t’u parë nëse të rinjtë do t’i përgjigjen pozitivisht ftesave të kryeministrit apo do të vijojnë qëndrimin e tyre kundër dialogut dhe me kërkesën për dorëheqjen e tij.

artikuj të ndërlidhura