Shkup, 27 prill Zhurnal.mk – Raporti për realizimin e programit të imunizimit të detyrueshëm për vitin 2025, i publikuar nga Instituti i Shëndetit Publik, nxjerr në pah të dhëna shqetësuese për përfshirjen me vaksina, veçanërisht për vaksinën kundër fruthit, rubeolës dhe shytave (MRP).
Sipas raportit, nga gjithsej 19.369 fëmijë që duhej të merrnin dozën e parë të kësaj vaksine, 7.215 prej tyre nuk e kanë marrë atë. E thënë më thjesht, në çdo dhjetë fëmijë, katër nuk janë vaksinuar me MRP. Për më tepër, përfshirja me vaksina si në vaksinimin primar ashtu edhe në rivaksinim mbetet dukshëm nën nivelin e rekomanduar prej 95%, i nevojshëm për krijimin e imunitetit kolektiv. Në vaksinimin primar, përfshirja për të gjitha vaksinat është nën 80 për qind.
Në një paraqitje në emisionin “360 gradë” në MRT 1, koordinatorja kombëtare për imunizim, Aleksandra Grozdanova, i cilësoi këto shifra si alarmante dhe shqetësuese, megjithëse theksoi se bëhet fjalë për trende që shfaqen në cikle të caktuara kohore dhe rajonale.
Ajo shpjegoi se ky trend ishte vërejtur që në raportin gjashtëmujor të vitit 2025 dhe se për situatën janë konsultuar edhe me vendet e rajonit si Serbia, Kroacia dhe Bullgaria, ku janë regjistruar zhvillime të ngjashme. Sipas saj, gjatë vitit 2024 rajoni u përball edhe me epidemi të pertusisit (kollës së mirë), e cila filloi në Kroaci dhe u përhap në vendet përreth, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut.
Megjithatë, krahasimi i të dhënave tregon se viti 2024 ka pasur përfshirje më të mirë me vaksina sesa 2025. Grozdanova e lidh këtë me masat intensive të ndërmarra gjatë epidemisë së pertusisit, kur institucionet shëndetësore aktivizuan thirrje të shtuara për vaksinim, duke përfshirë edhe fëmijët që kishin lënë vaksina pa marrë. Kjo çoi në rritje të ndjeshme të përfshirjes gjatë vitit 2024, ndërsa në vitin pasues zakonisht pason një rënie, pasi një numër i madh fëmijësh tashmë janë përfshirë në ciklin e vaksinimit.
Ajo theksoi se rënia aktuale lidhet me disa faktorë, përfshirë uljen e intensitetit të aktiviteteve institucionale dhe njëfarë “relaksimi” të prindërve. Sipas saj, një situatë e ngjashme është vërejtur edhe pas epidemisë së fruthit në vitet 2018-2019, kur pas një periudhe mobilizimi të lartë, pason gjithmonë një rënie e përfshirjes.
Një nga fenomenet më të theksuara është shtyrja e vaksinimit, veçanërisht për vaksinën MRP. Edhe pse sipas kalendarit të imunizimit kjo vaksinë duhet të merret në moshën 12 muajshe, shumë prindër e shtyjnë atë derisa fëmija të fillojë të ecë ose të flasë. Grozdanova theksoi se kjo qasje nuk ka asnjë justifikim mjekësor dhe paraqet rrezik për shëndetin publik.
Ajo nënvizoi se përgjegjësia nuk bie vetëm mbi prindërit, por edhe mbi sistemin shëndetësor dhe profesionistët e shëndetësisë, të cilët duhet të luajnë rol aktiv në edukimin dhe informimin e qytetarëve. Sipas saj, lidhja e vaksinës MRP me autizmin dhe gjendje të tjera neurologjike është e pabazuar shkencërisht, edhe pse këto narrativa vazhdojnë të ndikojnë tek një pjesë e prindërve.
Si shembull, ajo përmendi fushatën e vaksinimit gjatë epidemisë së fruthit në vitet 2018-2019, kur brenda gjashtë muajve u vaksinuan rreth 43.600 fëmijë në të gjithë vendin, pa u raportuar efekte anësore serioze përtej atyre të zakonshme si temperaturë apo lodhje. Në të njëjtën kohë, ajo rikujtoi se gjatë asaj epidemie pati edhe katër raste vdekjesh si pasojë e fruthit, duke theksuar rrezikun real të sëmundjes në krahasim me sigurinë e vaksinimit.
Sa i përket rajonit, Grozdanova theksoi se trendet janë të ngjashme, madje në disa vende edhe më të përkeqësuara. Sipas saj, në Kroaci përfshirja me vaksina është edhe më e ulët se në Maqedoninë e Veriut, ndërsa në Serbi dhe Bullgari gjithashtu vërehen nivele të ulëta të vaksinimit, me Bullgarinë që qëndron më dobët për një periudhë më të gjatë.
Raporti i IShP-së për vitin 2025, kështu, sinjalizon nevojën për masa të reja dhe më intensive për rritjen e përfshirjes me vaksina, me qëllim parandalimin e rikthimit të sëmundjeve infektive dhe mbrojtjen e shëndetit publik.
