Shkup, 15 maj, Zhurnal.mk – Deklarata e ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shkup, Mihalis Rokas, se Maqedonia e Veriut ka pasur një përshpejtim të procesit të reformave, vjen në një moment kritik por edhe interesant për vendin.
Raporti vjetor i Komisionit Evropian, i cili pritet të finalizohet në shtator, është një pasqyrë nga kënd-vështrimi i këtij institucioni të BE-së për gjendjen e reformave që do të duhej të ndikojë në ritmin e integrimit të premtuar evropian ndaj vendit, por edhe vendeve të tjera aspiruese për anëtarësim.
E shtesë në këto reforma të kriteteve të Kopenhagës për zgjerimin e BE-së tash sëfundi janë edhe reformat për të mundur marrë para nga fondi i ri i bllokut evropian për rajonin e Ballkanit Perëndimor, për të cilat BE kërkon që të bëhen nga parlamenti në qershor, e të mund të përfshihen pozitivisht në raportin e fund-vitit, shkruan Zhurnal.mk
Çfarë thotë diplomati is BE-së?
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Mihalis Rokas tha se vendi ka pasur një “përshpejtim” të procesit të reformave në krahasim me raportin vjetor të vitit të kaluar. Ai shtoi se pret që sinqerisht raporti i këtij viti do të jetë në gjendje të tregojë se është arritur përparim dhe se do të ketë rezultate.
Sipas Rokas, përgatitja e Raportit është duke u zhvilluar dhe duhet të finalizohet në shtator, dhe fundi i qershorit është afati i fundit për hapat dhe masat që Qeveria dhe kuvendi duhet të ndërmarrin.
Realiteti i brendshëm
Ligjet komplekse dhe transparenca e dobët e bëjnë zbatimin të ngadalshëm. Më të dobët bëhen kur ligjet mbeten reforma në letra kuvendi e nuk zbatohen sa dhe si duhet.
Një ndër këto masa është edhe sektori i energjisë. Tranzicioni energjetik dhe mjedisi i biznesit janë fusha ku BE-ja kërkon hapa të dukshëm, por ku rezultatet e dëshiruara dhe të synuara janë akoma të pa dukshëm.
Në këtë kontekst, “përshpejtimi” i përmendur nga ambasadori është relativ pasi ka lëvizje, por pyetja është nëse ajo është e mjaftueshme për të shmangur bllokimin e fondeve të Planit të Rritjes së BE-së, e nga i cili fond 750.4 milion euro janë ndarëpër Macedoninë e Veriut.
Pritjet dhe rreziku
Raporti i shtatorit do të jetë një pasqyrë e dyfishtë pasi në Bruksel do të lexohet si test i besueshmërisë së Maqedonisë së Veriut për integrim në kohën kur nervoza tek qytetarët për rrugën e bllokuar është ende e madhe.
Në Shkup do të përdoret politikisht si argument për sukses ose dështim të qeverisë, varësisht se cila palë flet.
Rreziku është i qartë nëse deri në fund të qershorit nuk ka rezultate konkrete, raporti mund të jetë kritik e të potencojë stagnim në reforma.
Kjo në rend të parë do të ndikonte negativisht për për fondet evropiane që lidhen me Planin e Rritjes.
Por përderisa presim për raportet e rregullta vjetore tradicionale të Komisionit Evropian, i mirë apo i keq të jetë ai në vlerësim në shtator, kërkesa kryesore ndaj Maqedonisë së Veriut – ndryshim i kushtetutës për bashkësinë bullgare – nuk po përmbushet nga qeveria dhe shumica e saj parlamentare.
Me apo reforma të Kopenhagës për anëtarësim, e me apo para nga fondi i ri, rruga e vendit drejtë BE-së është bllokuar tash e katër vite dhe nuk ka asnjë shenjë nëhorizont se do të zhbllokohet së shpejti. /Zhurnal.mk
